Çfarë po ndodh në Tiranë? Policia ndëshkon 35 mjete për parkim të gabuar

610
Sigal

Krahas menaxhimit të trafikut dhe mbarëvajtjes së aktiviteteve sociale, kulturore që karakterizojnë Kryeqytetin në këto ditë të fundit të procesit mësimor, Policia Rrugore e Tiranes njofton se është fokusuar edhe për të monitoruar sjelljen e përdoruesve të rrugës në raport me sinjalizimin rrugor dhe normat e sjelljes të përcaktuara në Kodin Rrugor Shqiptar.

Efektivët e Policisë Rrugore referuar ankesave të shtuara në lidhje me mënyrën e parkimet në disa lagje të kryeqytetit, sot janë ndalur në Njësinë Administrative Nr.7, ku nga kontrollet në brendësi të kësaj Njësie janë evidentuar dhe ndëshkuar 35 mjete të cilat janë konstatuar të parkuara gabim ose jo në përputhje me sinjalizimin rrugor vertikal.

Gjithashtu kontrollet kane vijuar edhe në disa rrugë të tjera urbane, në lidhje me shqetësimet dhe ankesat kryesisht për drejtuesit e mjeteve që parakalojnë në afërsi të kryqëzimeve duke u bërë burim i shtuar për aksidente rrugore por shpesh herë edhe prelud për konflikte fizike midis drejtuesve të mjeteve, kontrolle të cilat kanë përfunduar me konstatimin dhe ndëshkimin e 17 drejtuesve të automjeteve në rrugën “Jordan Misja”, si një nga rrugët më problematike përsa i përket parakalimit të gabuar.

Sipas policise, kontrollet dhe masat administrative do të vijojnë edhe përgjatë fundjavës me të njëjtin intensitet, ku prezenca më e madhe do të jetë në Sheshet Kryesore ku zhvillohen aktivitetet sociale, kulturore dhe sportive të planifikuara gjatë fundjavës.