Çanta me drogë drejt Greqisë, sekuestrohen 16 kg kanabis, në kërkim dy trafikantët

467
Policia sekuestroi 16 kg drogë në Kakavijë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se afër shtratit të lumit Drino u pikasën dy persona që transportonin çanta.
Ndonëse atyre iu bë thirrja për të ndaluar, por duke përfituar nga terreni i thyer, u larguan. Ndërkohë, policia u vu në ndjekje të tyre.

NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 29.08.2017, punonjësit e Policisë Kufitare Kakavije gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër në shtratin e lumit DRINO, në drejtim të postës së vjetër Kakavije, në vendin e quajtur “Shelgu”, kanë konstatuar 2 persona, të cilët transportonin dy çanta dore ku dyshohej se brenda tyre kishte lëndë narkotike.
Menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të këtyre personave, ku u është bërë thirrje për të ndaluar.
Por të dy shtetasit duke përfituar nga terreni i thyer dhe i pyllëzuar kanë mundur të largohen duke braktisur dy çantat.
Në brendësi të çantave kishte dy pako në formë cilindrike me lëndë narkotike si ajo e llojit Cannabis Sattiva, pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 16 kg.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia Kufitare në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P.Gjirokastër po punojnë për identifikimin dhe kapjen e këtyre personave.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetim të mëtejshëm, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
Sigal