Burri i 17-vjeçares që tentoi vetëvrasjen: E dëgjova kur fliste me të dashurin

433
Bashkëshorti i adoleshentes A.S. që tentoi vetëvrasjen pas presionit nga 51-vjeçari, ka pohuar se e ka kapur gruan duke folur në telefon më të akuzuarin. Mediat shkruajnë se ai ka deklaruar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se në momentin kur është organizuar takimi mes familjarëve të vajzës dhe Murrjes, si dhe kryetarit të fshatit Lishan i Epërm në “odën e burrave” ka hyrë dhe A.S. dhe i është drejtuar shtetasit Shkëlqim Murrja me fjalët: “Ti Shkëlqim Murrja ma shkatërrove jetën! Më ke dhunuar, kërcënuar dhe ke ushtruar presion ndaj meje herë pas here. Më paç na qafë për këtë që më ke bërë. Zoti të gjykoftë”. Po ashtu bashkëshorti 24-vjeçar i A.S. ka pohuar për policinë se pasi i shkatërroi kartën e parë të telefonit ka kurdisur një kurth për ta zbuluar gruan e tij me kë fliste në telefon.
“Një ditë i thashë gruas se do të shkoj në Peshkopi. Dola nga shtëpia dhe u fsheha afër banesës. Pas pak u ktheva dhe gjeta gruan teksa fliste me bashkëfshatarin e saj, Shkëlqim Murrja. Ia mora telefonin dhe konstatova se biseda e fundit telefonike ishte kryer me këtë person”, – ka deklaruar ai në Polici. Drejtuesit e Policisë Dibër janë të vendosur se ngjarja e ndodhur është e zbardhur saktësisht nga specialistët e saj dhe se askush nuk mund t’i mohojë apo fshehë faktet e paraqitura. “Ka shumë rëndësi që vajza po bëhet më mirë dhe me siguri ajo do të deklarojë gjithë të vërtetën e ngjarjes së ndodhur mes saj dhe 51- vjeçarit Shkëlqim Murrja. Bashkë me dëshmitë e tjera organet e Drejtësisë mund t’i rikthehen hetimit dhe gjykimit të ngjarjes”, shtuan burime policore.
Sigal