Burrel. Tjetër tragjedi në nëntokë, shembet galeria, vdes 58-vjeçari

653
Nëntoka shqiptare vijon të marrë jetë punonjësish në miniera. Viktima e radhës është minatori Skënder Tafa, 58 vjeç, i cili humbi jetën mesditën e së hënës. Ngjarja e rëndë u shënua në minierën e Cërujës, në rrethin e Matit, ku Tafa i cili punonte prej kohësh në këtë minierë, menjëherë është zënë poshtë nga një masiv shkëmbor. Menjëherë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur mbledhjen dhe administrimin e provave me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarje. Pasiguria dhe mungesa e kushteve minimale në nëntokën shqiptare, vazhdojnë të jenë faktorët kryesorë të cilët rrezikojnë jetën e minatorëve çdo ditë. Ndërkohë Skënder Tafa është viktima e 14-të e shënuar që nga tetori i vitit 2011.
Ja numri i viktimave në miniera nga viti 2011:
18 tetor 2011, shpërthimi i gazit metan në galeri ka shkaktuar vdekjen e minatorit Naim Bytyçi, 39 vjeç, punëtor prej vitesh i nëntokës dhe plagosjen e rëndë të 8 të tjerëve. 
11 nëntor 2011, një minator ka humbur jetën ne zonën minerare te Bulqizës. Viktima ishte Fetah Shehu, 55 vjeç, banor i Bulqizës. Sipas policisë, Shehu gjeti vdekjen pas shembjes se një masivi te madh dherash ne thellësinë e 200 metrave në galerinë me numër 66.
2 qershor 2012, Bulqizë, vdes minatori Dilaver Koçi. U zu poshtë nga një masiv dheu
10 gusht 2012, një minator është zënë poshtë nga masivi shkëmbor, një galeri kromi në Martanesh. Minatori 63 vjeçar është nxjerrë nga galeria në gjendje të rëndë dhe është dërguar në qendrën shëndetësore të Martaneshit, ku më pas ka ndërruar jetë.
30 gusht 2012, Murat Kaceli humb jetën në minierë, ndërsa u plagos rëndë minatori Abdulla Hoti
27 shtator 2012, Bashkim Mema 23 vjeç, humbi jetën pasi u zu poshtë nga masivi i dheut
16 Qershor 2013, vdes minatori Bujar Suroqi, 50 vjeç, i cili humbi jetën brenda ambienteve të një miniere në Bulqizë.
24 janar 2014, një aksident i rëndë ka ndodhur në minierën e Cërujës, në Rrethin e Matit, si pasojë e të cilit ka humbur jetën minatori Kujtim Lici, 42 vjeç.
29 maj 2014, humb jetën minatori Shkëlqim Pisli, i cili u aksidentua në minierën e Currjes.
19 Gusht 2014, Martanesh humbin jetën dy minatorë, 50-vjeçari Xhemal Sela, babai i 4 fëmijëve dhe minatori 35 vjeç, Denald Baçi.
2 Nëntor 2014, Bulqizë, Jonuz Nelaj, 50 vjeç, ka humbur jetën në mënyre aksidentale duke rënë në tunelin e ashensorit të minierës.
20 janar 2015, Tasim Doda ka humbur jetën në minierën e Perrolajt në Has, si pasojë e shembjes së një masivi dheut. 
16 Mars 2015, Skënder Tafa, 58 vjeç, humb jetën në minierën e Cërujës në Mat.
Sigal