Burg përjetë vrasësve të dy kunatave

57
Burgim përjetë ka vendosur sot Gjykata e Durrësit për tre personat që u gjetën fajtorë për vrasjen e dy kunatave, Gjinovefa dhe Elsa Vava. Në seancën e sotme gjykata ka vendosur burgim përjetë për Indrit Shaqja, 42 vjeç, Artur Kacanolli, 29 vjeç, dhe Vilson Elmazi, 29 vjeç. Ata ishin në akuzë për veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen e dy të moshuarave, Gjinovefa dhe Elsa Vava, përkatësisht 77 dhe 72 vjeçe. I ekstraduari nga Spanja, Indrit Shaqja, ka marrë përsipër autorësinë e vrasjes së dy kunatave, Gjinovefa dhe Elsa Vava, duke i hequr përgjegjësinë nipit të viktimave dhe bashkëpunëtorit tjetër të tij. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 2 shtatorit 2014, në lagjen nr. 11 të qytetit të Durrësit, kur dy të moshuarat u gjetën nga të afërmit e tyre të pajeta. “Vrasjet i kreva unë. Vilsoni dhe Arturi nuk kanë lidhje fare. Edhe Vilsoni vetëm mori pjesë në grabitjen që kishim organizuar, pastaj isha unë që dhunova dhe i lashë të lidhura plakat. Brenda në banesë hymë vetëm unë dhe Vilsoni, ndërsa Arturi nuk u afrua. Filluam t’i dhunonim se nuk po na tregonin ku mbanin lekët dhe sendet me vlerë. Nipi i tyre (Artur Kacanolli) na kishte thënë se ato kishin valutë dhe monedha ari.
I lidhëm, me qëllim për të kontrolluar vetë në shtëpi. Kur i gjetëm lekët dhe sendet me vlerë, si dhe 20 monedha franga ari, u larguam me shpejtësi, duke i lënë të lidhura dhe me skoç në gojë. Por kjo u mori jetën. Ne nuk e dinim se do të vdisnin, e kemi marrë vesh vetën ditën tjetër kur e dhanë lajmet se kishin vdekur. Nuk menduam se skoçi që u vumë në gojë, që të mos bërtisnin, do t’u bllokonte frymëmarrjen. Vrasjet i marr përsipër, sepse ishte vepra ime, ndërsa Vilsoni vetëm sa mori pjesë në grabitje”, deklaroi para trupit gjykues Indrit Shaqja, 42­vjeçari i cili u arrestua në Barcelonë të Spanjës, rreth 45 ditë pas ngjarjes. Ai ka kërkuar të marrë autorësinë e krimit të dyfishtë përsipër, duke liruar nga akuza e vrasjes dy shokët e tij, nipin e viktimave Artur Kacanollin dhe Vilson Elmazin. Ky i fundit, para togave të zeza ka deklaruar se nuk kishin qëllim të vrisnin të moshuarat, por vetëm të merrnin paratë dhe sendet me vlerë që kunatat mbanin në banesën e tyre të vjetër në qendër të qytetit. Ndërsa nipi i viktimave, Kacanolli, është shprehur se nuk ka lidhje me ngjarjen. Edhe ai ka pohuar se e kishte mësuar nga familjarët faktin se të moshuarat kishin vdekur. Indrit Shaqja, 42 vjeç, Artur Kacanolli, 29 vjeç, dhe Vilson Elmazi, 29 vjeç, akuzohen për veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen e dy të moshuarave, Gjinovefa dhe Elsa Vava, përkatësisht 77 dhe 72 vjeçe. Sipas Policisë, të tre, në bashkëpunim me njëri­tjetrin, më datë 2 shtator 2014 kanë hyrë në banesën e dy kunatave, për të vjedhur sende me vlerë dhe para, por kanë hasur në kundërshtimin e tyre.Ndaj, pa mëshirë, autorët i kanë torturuar deri në vdekje dhe u gjetën nga i biri i njërës prej viktimave të lidhura me skoç për të mos bërtitur, në shtëpinë e tyre në lagjen nr. 11 të Durrësit.