Burg për autorët e vrasjes tek “1 Maji”, Tahiri: “Herën e parë i liroi drejtësia”

404
Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për dy autorët e vrasjes së dyfishtë pranë lulishtes së ‘1 Majit’ në kryeqytet.
Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo akuzohen për vrasjen e Aurora Oskian dhe Kevin Rugovës si dhe plagosjen e Elvis Gaçaj, i cili ishte dhe shënjestra për ekzekutim e dy atentatorëve.
Sipas policisë, motivi i vrasjes së dyfishtë ndodhur mbrëmjen e 1 tetorit 2015 pranë lulishtes “1 Maji” ka qenë konfikti i autoreve të dyshuar me të plagosurin Elvis Gaçaj në lidhje me shpërndarjen e lëndëve narkotike”
Mbi ngjarjen foli sot edhe Ministri Tahiri, duke deklaruar se autorët ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë, por ishin lënë të lirë nga drejtësia.
Sipas tij dhënia e një drejtësie të merituar do tu kishte kursyer jetën dy të rinjve që mbetën të vrarë.
Tahiri: “Para pak ditësh dy të rinj u arrestuan sepse vranë në mes të Tiranës dy të rinj të tjerë, plagosën një të tretë dhe vetëm fati deshte që e gjitha të mos kthehej në një masakër në qendër të qytetit. Por shumë pak e dinë që autorët e kësaj ngjarje ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë nga policia dhe ishin lënë të lirë nga drejtësia. Nëse do kishin marrë ndëshkimin e merituar nuk do mund të merrnin jetën e dy të rinjve të tjerë, por morën ndëshkimin e dakorduar”.
Sigal