Burg për 73-vjeçarin që vrau gruan në Golem

531
I braktisur nga të tre fëmijët, por edhe të afërmit, 73-vjeçari Veli Dervishi doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda nga e cila mori masën “arrest me burg” për vrasjen e ish-bashkëshortes Shazivare Dervishi, 68 vjeçe. 
Në pamundësi për të njoftuar një mbrojtës personal të zgjedhur prej tij ose familja, gjykata i ofroi një avokat kryesisht. 73-vjeçari ishte kontradiktor mbi përshkrimin e skenës së krimit gjatë rrëfimit të tij para gjykatës. Veli Dervishi tha se çifti kishte konflikte për pronën, mandej e ndryshoi qëndrimin duke shtuar se viktima e kishte tradhëtuar para shumë kohësh dhe se ata grindeshin shpesh. 
Gjatë gjithë seancës ai e përshkroi viktimën e tij si ish-bashkëshortja, ndërsa u prezantua si i divorcuar prej vitesh. “Ne jetonim bashkë për shkak të fëmijëve”, tha Veli Dervishi, që nga njëra anë u shpreh i penduar, por nga ana tjetër e sulmoi sërish të ndjerën duke e fyer. 
Më tej, 73-vjeçari pretendoi se ish-bashkëshortja e kishte goditur me një shufër hekuri. “E vrava për vetëmbrojtje”, shtoi ai, version që kundërshtohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila thotë se vrasësi e ka goditur me sëpatë disa herë nënën e 3 fëmijëve. 
Madje, për shkak të zhurmave, komshinjtë kanë njoftuar policinë që pasi mbërriti në vendngjarje, e ka pyetur Veli Dervishin a kishte ndonjë problem. Autori është përgjigjur që gjithçka është në rregull edhe pse ndërkohë kishte vrarë të shoqen. 
Policia e Golemit është njoftuar më pas për ngjarjen nga djali i çiftit që ishte vënë në dijeni për krimin nga i ati.
Sigal