Breshëri plumbash “Land Roverit” në Bulqizë, kush është i riu që i shpëtoi atentatit

538
Një 29-vjeçar nga fshati Peladhi në Bulqizë i ka shpëtuar një atentati ndaj tij mbrëmjen e sotme. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automjetin tip “Land Rover” me targa AA 489 RA, me të cilin ai udhëtonte. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 në rrugën që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi.
Fatmirësisht Fadil Ternova i ka shpëtuar plumbave dhe ka mundur t’u largohet atentatorëve. Sipas policisë, 29-vjeçari mbart rekorde të theksuara kriminale dhe penale. Në vitin 2011 ai është akuzuar për tentativë vrasje, ndërsa në 2013 është i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Sh.Sh në Bulqizë. Por në vitin 2016, gjykata e ka liruar me shërbim prove.
Sipas policisë së Bulqizës, rreth orës 18.30, në sallën operative të Komisariatit ka mbërritur një telefonatë se në fshatin Peladhi-Bulqizë janë dëgjuar të shtëna armësh.
Menjëherë janë nisur drejt vendit të ngjarjes forca të shumta policore dhe grupi hetimor, ku kanë konstatuar se në rrugën që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Land Rover me targa AA 489 RA, që drejtohej nga shtetasi F.T, 29 vjeç, banues në fshatin Peladhi.
Drejtuesi i automjetit nuk ka ndaluar, por është larguar nga rruga që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi, rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes e më pas ka lënë automjetin në anë të rrugës, dhe ka njoftuar Policinë.
Nga të shtënat drejtuesi i automjetit nuk ka marrë asnjë lëndim. Mësohet se drejtuesi i automjetit lëvizte i vetëm me makinën e tij.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar disa gëzhoja, ndërsa nga kqyrja paraprake e automjetit janë dalluar dy shenja plumbi.
Forca të shumta policore të mbështetura dhe nga forcat e policisë së Drejtorisë Vendore Dibër, kanë ngritur pika të shumta kontrolli, po krehin zonën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Në lidhje me këtë ngjarje po hetohet intensivisht, pasi personi i dëmtuar mbart rekorde të theksuara kriminale dhe penale.
Sigal