Biznesmeni u ekzekutua pas lojës së futbollit

494
Sigal

Ndonëse duket që hetimet për vrasjen e biznesmenit Shpëtim Shala janë futur në një mjegullnajë të errët, një nga pistat mësohet se ka intriguar më shumë grupin hetimor në vendngjarje. Bëhet fjalë për pistën e një sherri që ka pasur viktima për shkak të një borxhi të papaguar, në një kohë që pista e dytë e një sherri me një shtetas nga Durrësi, për një gërvishtje makinë është më e zbehtë.

Ajo që i ka bërë dhe më interesante hetimet, është fakti se sherri për një nga borxhet mund të jetë bërë me persona që jetojnë jashtë territorit shqiptar, në vendet e Beneluksit, e madje dyshohet se pikërisht prej andej të jetë porositur edhe ekzekutimi i tij. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se të paktën 30 persona janë shoqëruar, 5 kanë qenë të dyshuar për çështje që kanë të bëjnë me borxhe apo sherre ordinere të viktimës me persona të caktuara, në një kohë që nuk ka asnjë të ndaluar. Policia ka marrë në pyetje dhe të afërt të viktimës, por asnjë prej tyre nuk ka deklaruar ndonjë të dhënë konkrete në lidhje me shkaqet e këtij ekzekutimi mafioz.

Verifikimi

Me interes pritet informacioni që do të dalë nga tabulatet telefonike të viktimës, ku mund të ketë elementë parapritës që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorëve të krimit. Ajo që i ka vështirësuar shumë hetimet është fakti se viktima nuk kishte marrë masa mbrojtëse ndaj ndonjë kërcënimi të mundshëm.

Ditën që u ekzekutua, viktima e ka parkuar automjetin e tij në një vend tepër të pasigurt për t’u mbrojtur pas disa godinave të plazhit, në mes të tri rrugicave qorre. Jo vetëm kaq, por 39-vjeçari ditën që është ekzekutuar ka qenë në bregdet duke luajtur me shokët e tij futboll, dhe më pas qetësisht i është drejtuar automjetit për të shkuar në shtëpi. Kjo tregon se ndaj viktimës nuk ka pasur ndonjë kërcënim të rrezikshëm me jetë, që ai të mbrohej,të shoqërohej apo edhe t’u shmangej ambienteve të pasigurta. Ajo që është e sigurt dhe që e ka vështirësuar procesin e hetimeve, është dhe fakti që viktima nuk u ka shfaqur të afërmve, shokëve apo dikujt tjetër ndonjë shqetësim për kërcënim të mundshëm.