Bilanci 24 orëve: 2 tritolvënie, 4 të plagosur me thika e tre të tjerë në aksidente në rrugë

452
Sigal

 C-4 shtëpisë së biznesmenit e godinës së policisë, sherr me thika mes nxënësve në Durrës, aksidente në Tiranë

Dy shpërthime me tritol, një në banesën e një biznesmeni në Tiranë në orët e para të ditës së djeshme e një shpërthim tjetër i fuqishëm me tritol Brenda komisariatit të Fushë-Krujës, 4 nxënës shkolle të plagosur me thika pas një sherri në Durrës, një telefonatë-alarm për vënie bombe në Ambasadën Angleze në Tiranë dhe tre të tjerë të plagosur në dy aksidente është kronika e pak orëve të një dite në Shqipëri. Ndërkohë, me përjashtim të ndalimit të adoleshentët që luftuan me thika me njëri-tjetrin në Durrës, policia nuk ka mundur ende të identifikojë shkaqet dhe autorët e shpërthimeve me tritol Tiranë e Fushë -Krujë si dhe nuk ka mundur të identifikojë autorët e ‘bombës’ në Ambasadën Angleze në Tiranë. Ndërsa banorët, përditë e më shumë po përjetojnë ankthin që sjellin aktet terroriste apo ngjarjet e tjera të rënda, duke kërkuar nga policia e strukturat e tjera shtetërore siguri për jetën dhe pasurinë e tyre.

  EKSPLOZIV BANESËS SË BIZNESMENIT

 Ditën e djeshme, një shpërthim i fuqishëm ka tronditur banorët e rrugës “Prokop Mima” në kryeqytet. Burime nga policia bëjnë të ditur se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të ditës së hënë, kur një sasi eksplozivi ka shpërthyer në banesën e shtetasit Ermal Koka. Fatmirësisht nuk raportohen të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Mbeten ende të paqarta shkaqet dhe autorët e vendosjes së eksplozivit, ndërsa policia po punon për të zbuluar konflikte të mundshme të pronarit të banesës, që mund të kenë lidhje me ngjarjen e sotme.  Ermal Koka është, biznesmen i materialeve elektrike tek rruga “Siri Kodra”. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”. Burime paraprake, ende jo zyrtare, pohojnë si pistë kryesore atë të konkurrencës në biznes.

PLAGOSJE ME THIKA NË DURRËS

Gjashtë të rinj janë përfshirë në një sherr me thika, e për pasojë 4 prej tyre kanë mbetur të plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e ditës së djeshme prapa stadiumit të futbollit në lagjen nr.16 në Durrës, ndërsa njëri prej të plagosurve ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin rajonal. Ai është 18 vjeç nga Sukthi, me inicialet Xh.D dhe është nxënës i shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela”. Sipas policisë të lënduarit e tjerë me inicialet SH. R 20 vjeç, N. M 19 vjeç dhe A.N 20 vjeç kanë marrë plagë të lehta dhe nuk janë nxënës shkolle. Menjëherë pas ngjarjes, policia ka arrestuar 2 prej autorëve H.D 15 vjeç dhe Isnado Domi 18 vjeç, vëllezër dhe banues në lagjen Nr. 14 në Shkozet. Më pas u arrestua dhe 17-vjeçari DH.K., banor i qytetit të Durrësit. Ata u arrestuan teksa po tentonin të largoheshin në drejtim të Shkozetit me një motor, ndërsa kanë rrëfyer edhe vendndodhjen e armës së krimit të llojit thikë, të cilën sipas tyre e kishin hedhur në një pusetë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 thika me të cilat është kryer vepra penale  si dhe një motoçikletë. Për këtë, policia ka shoqëruar 7 persona.

“Bombë” NË AMBASADËN ANGLEZE

Një alarm fals për bombë në Ambasadën Angleze në Tiranë, ka ngritur sot në këmbë dje forcat e policisë së Tiranës. Alarmi është dhënë rreth orë 13:40 nëpërmjet një telefonate në sallën operative dhe ka vënë në lëvizje menjëherë forcat e Komisariatit Nr. 3 dhe njësinë antieksploziv. Për 20 minuta u kontrollua e gjithë ndërtesa në bllokun e ambasadës si dhe ndërtesa të tjera pranë. Lajmi ka shtuar panikun në radhët e punëtorëve, ndërsa para saj nuk u lejua as kalimi i qytetarëve. Bëhet me dije se policia po punon për identifikimin e telefonatës dhe personit që ka telefonuar. Por deri në orët e vona, nuk është identifikuar dhe shoqëruar autori i alarmit të rremë.

DY AKSIDENTE, TRE TË PLAGOSUR

Persona kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik në zonën e Mulletit në kryeqytet. Policia bën me dije se dy automjete një tip “ Benz” me targë AA303AC dhe një tjetër tip “ Fuoristradë” me targë PG4696B janë përplasur me njëri- tjetrin. Dy të plagosurit janë transportuar në Spitalin Ushtarak. Aksidenti ka ndodhur në dalje të rrugës së re Tiranë-Elbasan, në një kalim të improvizuar. Nga hetimet paraprake të policisë dyshohet që shkak për përplasjen të jetë shpejtësia tej normave të lejuara.  Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes automjeti tip “Benz” ngjyrë gri në të cilin ndodheshin edhe dy personat që kanë mbetur të plagosur po udhëtonte nga Elbasani drejt Tiranës ndërsa automjeti tjetër ai tip “Fuoristradë” udhëtonte nga Tirana drejt qytetit të Elbasanit. Ndërkohë një tjetër aksident ka ndodhur në zonën e Shkozës në Tiranë. Një automjet është përplasur me një shtyllë elektrike. Mësohet se plagë të lehta ka marrë një person.

TRITOL NË KOMISARIATIN E FUSHË -KRUJËS

KRUJË- Një sasi tritoli ka shpërthyer në komisariatin e Fushë-Krujës. Lënda plasëse tritol është hedhur në oborrin e komisariatit. Për pasojë nga shpërthimi janë dëmtuar dy automjete. Lënda shpërthyese është hedhur në Komisariat nga jashtë. Tritoli ka rënë mbi njërën nga automjetet e parkuara. Dy makinat e dëmtuara janë automjete të Komisariatit të policisë. Nga shpërthimi janë dëmtuar dhe xhamat e disa banesave. Ky është rasti i dytë që një sasi tritoli hidhet në oborrin e komisariatit të Fushë-Krujës. Në 20 janar rreth orës 19:00 një sasi e vogël eksplozivi u hodh në oborrin e komisariatit. Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale.