Bilanc lufte, 295 të vdekur dhe 2503 të plagosur vetëm në vitin 2013

519
Sigal

Hulumtimi/ Aksidentet rrugore dhe viktimat. Shkaku kryesor, mungesa e sinjalistikës

Bilanc lufte tregon inventari i aksidenteve rrugore për vitin 2013. Në këtë vit shënohen 2075 aksidente, ku kanë humbur jetën 295 persona dhe janë plagosur 2503 të tjerë. Mungesa e sinjalistikës radhitet si shkaku kryesor që ka sjellë rritjen e numrit të aksidenteve këto 5 vitet e fundit. Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me të dhëna për aksidentet rrugore dhe viktima; moshën dhe kategorinë e viktimave; shkaqe dhe situata që përbëjnë rrethana të aksidenteve rrugore të ndodhura në vend në periudhën 2009-2013.

• Në vitin 2013 shënohen dy mijë e shtatëdhjetë e pesë aksidente në rrugë. Si pasojë e tyre kanë humbur jetën dyqind e nëntëdhjetë e pesë persona dhe janë regjistruar dy mijë e pesëqind e tre të plagosur.

• Sipas Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës numri i personave të vrarë në aksidente rrugore në vitet 2009-2013 ka ardhur duke u ulur, ndërsa ai i personave të plagosur ka ardhur duke u rritur.

• Në vitin 2013 për çdo dhjetëmijë mjete automobilistike të regjistruara janë shënuar 6.61 viktima, ndërsa për çdo njëqind mijë banorë ky tregues qëndron në vlerën 9.1 në vitin 2013.

• Inventari i aksidenteve rrugore për çdo 10 000 mjete ka shënuar një rritje nga 36.65 në vitin 2009 në 46.53 në vitin 2013.

• Statistikat tregojnë se numri i aksidenteve gjatë të cilëve kanë humbur jetën fëmijë të moshës nën pesëmbëdhjetë vjeç qëndron në nivelet 20 deri 30 aksidente çdo vit. Viti me numrin më të lartë është viti 2010 ku kanë ndodhur 30 aksidente më pasojë vdekjen e fëmijëve nën 15 vjeç

• Në vitin 2013 kanë ndodhur 273 aksidente me pasoja fatale për drejtuesit e mjeteve, 162 për pasagjerët, 95 për këmbësorët etj.

• Sipas të dhënave të Ministrisë së Linjës kolaudimi apo kontrolli teknik megjithëse një proces i detyrueshëm dhe i rëndësishëm për sigurinë në rrugë mbetet ende në nivele të ulëta kundrejt totalit të mjeteve në qarkullim. Kështu në vitin 2013 vetëm 68.7% e mjeteve të regjistruara kanë kryer kontroll teknik.

• Gjatë këtij viti aksidentet më të shumta janë shënuar në rrugë urbane, përkatësisht 1 386 aksidente nga 2 075 që kanë qenë në total. Në rrugë rurale janë shënuar 686 aksidente dhe në sheshe 3 aksidente.

• Periudha me numrin më të lartë të aksidenteve në Shqipëri duket të jetë sezoni i verës. Muajt që kanë shënuar më shumë aksidente në vitin 2013 janë korriku dhe gushti me përkatësisht 209 dhe 224 aksidente të ndodhura. Ndërsa numrin më të lartë të aksidenteve më pasoja fatale për të aksidentuarit e shënon muaji qershor me 30 aksidente me vdekje.

• Edhe fundjava është karakteristike sa i takon numrit të aksidenteve ku aksidente të shënuara në ditën e diel janë përkatësisht 324, nga të cilat 217 me pasojë plagosje të lehtë, 63 plagosje të rëndë dhe 44 me pasoja fatale humbje jete, për të aksidentuarit.

• Rrethi në të cilin kanë ndodhur më shumë aksidente gjatë vitit 2013 është Tirana, me 649 aksidente të ndodhura, 44 prej të cilave më pasojë vdekjen e të aksidentuarve. Rrethe të tjera me mbi 100 aksidente të ndodhura janë Elbasani, Shkodra, Durrësi, Fieri dhe Lushnja.

box

DETAJE

Viti 2013

2075 – numri i aksidenteve

295 – persona kanë humbur jetën

2503 – persona të plagosur

273 – aksidente me pasoja fatale për drejtuesit e mjeteve

162 – aksidente me pasoja fatale për pasagjerët

95 – aksidente me pasoja fatale për këmbësorët