Berat, vdes nga pakujdesia e mjekëve nëna e 4 fëmijëve

757
Sigal

Familjarët denoncojnë në Prokurori mjekët që trajtuan 36-vjeçaren. Flet bashkëshorti i viktimës, Fatmir Leshi: Ja e vërteta

Elvira Leshi, 36 vjeç, banore në fshatin Velagosht Komuna Perondi  10 kilometër larg qytetit të Kuçovës, nëna e 4 fëmijëve, ka gjetur vdekjen nga neglizhenca e mjekëve të dy spitaleve, të Kuçovës dhe Beratit. Burime nga familjarët bënë të ditur se për 8 orë reshtë mjekët neglizhonin me të sëmurën me shprehjen se “nuk ka gjë, bënë vetë”. Bashkëshorti i saj, Fatmir Leshi, 45 vjeç tregon për gazetën “Telegraf” për vdekjen e bashkëshortes së tij. “Në mëngjes gruaja është ankuar nga një dhimbje koke duke më thënë se ndihej sëmurë, por sipas saj nuk ishte gjë për t’u shqetësuar dhe se do t’i kalonte shpejt. Me këto fjalë të saj, u nisa për në punë. Sipas asaj që më tregoi më pas ajo kishte larë rrobat dhe kishte çuar fëmijët në shkollë. Kur është kthyer është ndjerë sërish keq dhe ka kërkuar ndihmë. Ndihmë, e cila i është dhënë nga të afërmit e mi (deri në mbërritjen time, pasi më njoftuan). Gruaja është dërguar fillimisht në infermierin e fshatit, infermierja i kishte dhënë ndihmën e parë dhe menjëherë e kishin transportuar për në spitalin e qytetit të Kuçovës. Mjekët e Urgjencës në këtë spital pasi i kanë dhënë një ndihmë, thanë se duhet ta dërgonim në Spitalin e Beratit. Menjëherë ne e transportuam për në Spitalin Rajonal të Beratit, në repartin e Urgjencës. Mjekët pasi i bënë dy gjilpëra, më thanë: Merre në shtëpi, se nuk ka gjë, bënë vetë. Me makinën tonë e morëm dhe u nisëm për në shtëpi, por rrugës gruaja po thoshte se ishte sëmurë dhe se nuk ndihej mirë, madje po më thoshte, “më ndihmoni se po vdes, do të lë 4 fëmijët jetim”. Të shqetësuar menjëherë e kthejmë në Spitalin e Kuçovës, por përsëri këtu na thanë se nuk ka gjë. I acaruar me mjekët, po u thoja që ta ndihmonin, por për të ishte shumë vonë, pasi ajo ndërroj jetë në krahët e mjekëve në Urgjencën e Spitalit të Kuçovës”, tha Leshi. Pas kësaj mjekët kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur me shpejtësi për të normalizuar situatën, pasi familjarët ishin tejet të acaruar dhe po grindeshin me mjekët. Përsëri 36-vjeçarja transportohet për në Spitalin e Beratit, por me një ndryshim, trupi i saj ishte i pa jetë. Viktima është mbyllur në morgun e spitalit për t’i kryer autopsinë, madje është pritur disa orë që të vinte mjeku i autopsisë, ku do të përcaktohej dhe faktori që çoi në vdekjen e 36-vjeçares.

Autopsia

Sipas bashkëshortit të viktimës, bëhet e ditur se pas kryerjes së autopsisë mjeku ka dalë në konkluzionin se vdekja kishte ardhur si pasojë e një infarkti. Elvira Leshi ka vdekur në orën 18:00. Ajo ka vuajtur duke u sorollatur nga mjekët qysh nga ora 10:00 e kësaj ditë (dy ditë më parë). Mjekët janë treguar të papërgjegjshëm për jetën e një nënë me 4 fëmijë. Sipas Leshit, mjekët kanë lozur me jetën e gruas së tij, e cila kërkonte ndihmën e tyre. “Ata e neglizhonin duke na parë ne si fukarenj dhe nuk po tregonin interes për të shpëtuar jetën e saj”.

Mjekët luajtën 8 orë me jetën e 36-vjeçares

Fatmiri tregon: “Mjekët e spitalit kur gruaja ime gjeti vdekjen u befasuan pasi ata luajtën me të rreth 8 orë, duke u shprehur se ‘nuk ka gjë, bënë vetë, por merreni’. Duke parë neglizhencën e mjekëve që më pas morën jetën e gruas time, ne tashmë jemi këtu në dyert e Prokurorisë dhe do të bëjmë kallëzim penal ndaj mjekëve, të cilët luajtën me jetën e gruas time”, ka thënë Fatmir Leshi. “Ne kërkojmë nga Prokuroria që të kryhen hetimet rreth vdekjes, pasi Elvira vdiq nga neglizhenca e mjekëve. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë”, shprehen familjarët.

DREJTORI I SPITALIT TË KUÇOVËS, AGIM MUHAMETI: “SPITALI I KA BËRË TË GJITHA SHËRBIMET MJEKËSORE”

Për vdekjen e ndodhur në spitalin e qytetit, të 36-vjeçares dhe pas denoncimit të familjarëve në Prokurori se Elvira Leshi, ka gjetur vdekjen nga neglizhenca e mjekëve, u prononcua për “Telegraf”, drejtori i Spitalit të Kuçovës, Agim Muhameti, i cili ka thënë 36-vjeçarja ka ardhur nga fshati në një gjendje jo të rëndë. “Mjekët e spitalit i kanë dhënë ndihmën e parë. Më pas për një kurim më të specializuar ne e kemi dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ajo është kontrolluar nga mjekët e këtij spitali, ku dhe i është bërë dhe një shërbim mjekësore për momentin. Mjeku i urgjencës kur është bindur se nuk ka ndonjë gjë serioze përsëri e dërgon në spitalin tonë. Ne me të gjitha mundësit, i kemi shërbyer. E sëmura është vënë dhe në oksigjen nga mjekët specialistë. I gjithë personeli është vënë në shërbim të sëmurës, por pas 30 minutave (pasi kishte ardhur nga Spitali i Beratit) ka gjetur vdekjen në spitalin tonë, në një kohë që shërbimet mjekësore që ne kemi i kemi vënë të gjitha në dispozicion. Ka qenë ekspertiza ajo që ka zbardhur të vërtetën, pasi as ne nuk e dinim ngase vdiq”, -tha Muhameti.

DREJTORI SPITALIT BERAT, SHKËLQIM HYSI: “MJEKIMI ËSHTË BËRË NORMALISHT”

Pas denoncimit të familjarëve në Prokurori për vdekjen e 36-vjeçares, Elvira Leshi për neglizhencë të bluzave të bardha, pasi sipas pretendimeve të familjarëve ka vdekur nga neglizhenca e mjekëve të dy spitaleve. Për të zbardhur të vërtetën se si është kryer shërbimi mjekësor i pacientes në Spitalin e Beratit, në një prononcim për “Telegraf”, drejtori i Spitalit Rajonal të Beratit, Shkëlqim Hysi tha se 36-vjeçarja ka ardhur nga Spitali i Kuçovës për një mjekim më të specializuar. “Unë jam njohur me gjendjen e të sëmurës nëpërmjet mjekut të Urgjencës, Petrit Bani. E sëmura ka qëndruar dy orë në spital pasi i janë bërë dy gjilpëra dhe më pas ajo është përmirësuar. Kur mjeku është bindur se 36-vjeçarja nuk kishte asnjë rrezik u ka thënë familjarëve që ta marrin dhe ta çojnë për kurim në Spitalin e Kuçovës, pikërisht aty ku ndodhej e shtruar dhe kishte marrë mjekimet e para. Sipas të dhënave e sëmura kur ka ardhur në spital nuk ka qenë në një gjendje të rëndë”, tha Hysi.