Bashkia e Tiranës shpall 4 fituesit e konkursit për skulpturat dekorative

468
Parqet dhe sheshet kryesore të Tiranës do të pasurohen me vepra arti, të cilat pritet të krijojnë një imazh më bashkëkohor dhe qytetar të mjediseve publike të qytetit, duke sjellë një frymë qytetare dhe një mënyrë ndryshe të kalimit të kohës së lirë. Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës përmbylli konkursin e artistëve të rinj, duke shpallur 4 idetë e para fituese të skulpturave dekorative që do të vendosen në parqe dhe ambientet e tjera publike të qytetit.
Mes emrave të fituesve është dhe Eljan Tanini, protestuesi i Parkut tek Liqeni, projekt i Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht kësaj, Bashkia, e ka vlerësuar Taninin me çmim.
Fitues të konkursit janë:
1. Deni Cela, Titulli i veprës “Rrugëtim”, Pozicioni: Lulishtja te Teatri Kombëtar
2. Zabit Coka, Titulli i veprës “Kërmilli”, Pozicioni: sipër Amfiteatrit te parku i Liqenit Artificial.
3. Elian Tanini, Titulli i veprës “Raketa”, Pozicioni: ish fusha e aviacionit
4. Besart Pepa, Titulli i veprës” Valltarët”, Pozicioni: lulishtja te Parku “Rinia”
Konkursi i realizuar nga Bashkia e Tiranës do të mundësojë krijimin e disa skulpturave dekorative për parqet e ambientet publike të qytetit të Tiranës, të cilat do të realizohen në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Të gjitha veprat do të ekspozohen me bazamente provizore, në disa nga parqet kryesore. Gjithashtu, Veliaj theksoi se ky konkurs do të kthehet në një traditë për qytetin e Tiranës, ku artistë të rinj dhe të njohur të mund të paraqesin ide novatore se si mund ta pasurojmë qytetin me vepra arti.
“Gjëja e bukur ka atë fuqi transformuese në kulturë dhe sjellje qytetare, të cilën nuk e realizon dot as bashkia, as policia, as rojet dhe kamerat në rrugë. Unë besoj se efekti i veprave të para që do të vendosim në parqe dhe sheshet tona publike, fillimisht do të sjellin një ndryshim në kulturë, para se të sjellin ndryshim në infrastrukturë”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Sigal