Bashkia e Shkodrës: Pamjet, të manipuluara

399
Në një reagim të saj, Bashkia e Shkodrës i ka cilësuar si pamje të manipuluara ato që u shfaqën në televizion dhe të nxitura nga një ish-drejtues sektori në këtë qendër, i cili është larguar nga puna para 2 vitesh për thyerje disipline. “Qendra e Zhvillimit është institucion publik, që ofron shërbim rezidencial dhe ditor për personat me aftësi ndryshe. Në këtë institucion marrin shërbim persona nga e gjithë Shqipëria. Në shifra, aktualisht në këtë institucion trajtohen 87 persona; 40 persona që marrin shërbim ditor dhe 47 persona që marrin shërbim rezidencial, nga të cilët vetëm 7 janë banorë të Bashkisë së Shkodrës”-nis reagimi i bashkisë.

 Më tej, në njoftimin për shtyp thuhet se “vlerësojmë që pamjet e shfaqura mbrëmë janë pamje të rënda, të manipuluara dhe nuk pasqyrojnë realitetin në këtë qendër. 1. Ambiente të tilla nuk ekzistojnë në qendrën e zhvillimit (tuba, hekura, ganxha, etj.) 2. Imazhe të tilla janë të nxitura, të prodhuara dhe të shpërndara nga ish-përgjegjësi i sektorit social pranë qendrës së zhvillimit i larguar prej dy vitesh nga puna për thyerje të rëndë të disiplinës në punë”. Sipas bashkisë, në këtë qendër zhvillimi trajtohen persona me probleme të rënda të zhvillimit fizik dhe mendor. “Këta persona janë rezidentë dhe marrin shërbim në këtë qendër prej më shumë se 20 vitesh, dhe pjesa më e madhe (rreth 80%) nga këta përfitues kanë kaluar moshën 25-vjeçare, moshë limit për rehabilitim dhe zhvillim.

 Pavarësisht problematikave dhe vështirësive të punës në këtë institucion, personeli teknik dhe kujdestar punon për të ofruar shërbime sa më të mira dhe profesionale në përputhje me nevojat specifike të klientëve”-vijohet në reagim. Më tej, Bashkia e Shkodrës thotë se “me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve për klientët, vazhdimisht në qendrën e zhvillimit janë bërë ndërhyrje në infrastrukturë, është siguruar pajisja me mjete të nevojshme për ofrimin e shërbimeve rehabilituese. Aktualisht në këtë institucion me financimin e Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën Amerikane, po zhvillohen punime rikonstruktuese të përgjithshme të godinës me synim përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetesës së personave që jetojnë në këtë institucion”. Në fund bashkia fton mediat që të vizitojnë ambientet e qendrës dhe të njihen drejtpërdrejt me kushtet dhe shërbimet që ofrohen në Qendrën e Zhvillimit, Shkodër.
Sigal