Bashkëshortja zhduket me vajzën 5 vjeçe, burri: Dyshoj se e ka çuar në Siri

547
Një 37-vjeçar nga qyteti i Korçës ka denoncuar bashkëshorten e tij për rrëmbimin e vajzës së tyre 5-vjeçare. Elio Mane deklaroi se gruaja e tij, Albana, një muaj më parë e ka marrë vajzën e tyre të mitur me inicialet S.M., dhe e ka çuar në Turqi me pretekstin e punës atje, por që sipas tij ajo mund të ketë shkuar edhe në Siri, në zonat ku lufton ISIS-i. Pas marrjes së dëshmisë, forcat e Rendit kanë nisur procedimin penal për 26-vjeçaren, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.
“Dyshoj se vajzën Albana e ka çuar në Siri, dhe mua më gënjeu. Para se të ikte në Turqi, unë i dhashë edhe leje për të ikur, sepse nuk lejohej në kufi, me marrëveshje te noteri. E bëmë me fjalë që do kthehej për 2 javë, por ajo nuk është kthyer që atëherë. Dyshoj për këtë fakt sepse në doganë, personat që kishte kontaktuar fillimisht, m’u dukën me dialekt kosovar, dhe ata mund ta kenë bindur për të shkuar në Siri”, – tha Mane.
Më tej ai shtoi, se prej 4 vitesh çifti nuk jetonte më bashkë dhe se kanë nisur procedurat e divorcit, por largimi i gjyqtares që kishte marrë çështjen ka bërë që deri më tani të mos jepet një vendim përfundimtar ligjor për ndarjen e tyre. Ndaj gjykata ka vendosur që vajza të qëndrojë 2-3 javë me njërin prind dhe po të njëjtën kohë me prindin tjetër.
Sigal