Bandat grabisin në mesditë disa banesa tek “Komuna e Parisit”

390
Sigal

TIRANË- Tashmë, bandat e grabitësve jo vetëm nuk i tremben policisë, pasi asaj ‘ja kanë pirë lëngun’, por guxojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal dhe të mbeten ‘anonimë’ dhe në vendet më të populluara dhe në mes të ditës. Kështu ka ndodhur dje në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë, përkatësisht në bllokun e banesave tek rruga “Bill Klinton” përballë qendrës tregtare ‘Kristal’. Ngjarja që është njoftuar në polici nga vetë banorët është shoqëruar me ritualin e ‘administrimit ligjor’, e, asgjë më tepër. Banorët, e terrorizuar nga pasiguria për jetën dhe për pronën, tregojnë se objekt i grabitjes kanë qenë 5-6 hyrje në dy banesa që ndodhen pranë njëra-tjetrës, të cilave u janë shkatërruar dorezat e bravat e dyerve. Por fatmirësisht, falë konstruktit të tyre të metaliktë, i kanë rezistuar tentativës së grabitjes. “Unë u largova rreth orës 11:00 nga banesa për në punë dhe u ktheva tani, kur ora është 13:00. Gjithçka, ka ndodhur në harkun e  një ore. Shiko çfarë kanë bërë në derë… Kanë këputur dorezat e kanë tentuar të shkatërrojnë bravën. Por dyert janë metalike e nuk kanë arritur. Kështu i kanë bërë dhe fqinjit në katin më lart, si dhe në 3 hyrje të tjera në pallatin ngjitur. Duket që ata kanë qenë disa vetë dhe të organizuar. Çuditem si të ndodhë kështu, në qendër të kryeqytetit e në një zonë të mbipopulluar. Po të jesh në shtëpi, vijnë e të vrasin hajdutët. Mbyllim dyert, vijnë dhe i shqyejnë. Jemi të pasigurt”,- shton një prej banorëve. Ndër banesat që kanë qenë shënjestër e grabitësve rezultojnë dhe ajo e një biznesmeni, e një shqiptaro-amerikani dhe e një doganieri. Kohët e fundit, në këtë lagje janë regjistruar disa grabitje banesash dhe automjetesh, ndërkohë, nuk janë gjetur dhe vënë para përgjegjësisë autorët.