Avokat Abdyl Bakiu: Policia përgjegjëse e vrasjes së trefishtë të familjes në Elbasan

558
Sigal

Shoqëria shqiptare kalon në krizë të thellë morale, ndërsa ligji nuk parandalon  (edhe) krimin në familje

Një kakofoni mendimesh, konkluzionesh dhe sentencash dëgjohet këto ditë për krimin e dyfishtë, (trefishtë për shkak të fëmijës në bark të nënës) të një babai nga Elbasani, që vrau të birin dhe bashkëjetuesen e tij. “Njeri pa zemër”, “ Si mund të vritet djali në këtë moshë”, “S’ka duruar më, prandaj e bëri”, “Iu thaftë dora”, “ I lumtë dora”, “Viktimë e fatkeqësisë sociale”, etj. Tek dëgjon këto shprehje  për momentin, e ke të vështirë të mbash një qëndrim të caktuar, lëkundesh në mendimet e tua. Një çift të moshuarish bëjnë jetën e tyre të zakonshme në një qytet të Shqipërisë, jetë e njëllojtë me  mijëra pensionistë të tjerë. Dhe kjo jetë i  ndryshon kur  i vjen i biri nga jashtë shtetit me një bashkëjetuese e për më tepër shtatzënë. Mënyra sesi sillej nusja ishte totalisht e papërshtatshme për vjehrrin; asnjë punë, bishta cigaresh kudo, të shara italisht, të cilat kanë ngritur tensionin. Më pas, është ngritur problem i pronësisë së apartamentit, pasi i ati ka kërkuar të shkonin diku gjetkë. E në këtë pikë ka plasur sherri. Nga njëra anë, Sokoli s’mund të kthehej në Itali, se kishte problem me drejtësinë italiane, nga ana tjetër kërkonte të merrte ai pronësinë e apartamentit, se kishte kontribuar më shumë për blerjen e tij. Të pamundur për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme, ka filluar dhuna si shprehje e zbrazjes së frustrizmit. Djali, si më i ri që ishte, ka filluar të ushtrojë dhunë  sistematike ndaj të atit, së pari, për t’i mbyllur gojën që ai të pranonte gjendjen imponuese. Më pas, edhe për atë që prindërit  të jepnin para për jetesën e tyre të përditshme. Po ç’para mund të jepnin dy prindër  pensionistë ndaj një çifti të ri që priste fëmijë, kur këto para nuk dilnin as për jetën e tyre. I nervozuar për mosecjen e punëve të tij në biznesin e ligjshëm, apo të paligjshëm, i biri  ka vazhduar të ushtrojë dhunë të vazhdueshme ndaj të atit, për t’i mbyllur gojën që ai mos të ndjehej fare,  të mos hapte gojën për asgjë, ta nënshtronte atë totalisht, për ta bërë inegzistent. I ati, i prekur në sedër, nën kontradiktën e madhe prindërore që nga njëra anë të mos ta marrin vesh të tjerët që i biri e rreh dhe e qëllon (poshtërim i pamasë, përdhunim psikologjik, fshirje me zero e gjithçkaje të bërë për fëmijën) dhe nga ana tjetër, sa mund të shtynte  kështu,  nuk ka duruar dhe ka shkuar në polici. Por në polici ky rast është neglizhuar. Është mjaftuar me evidentimin e tij dhe nënshkrimin e një deklarate nga i biri, që nuk do të rrahë më të atin. A është e mjaftueshme marrja e deklaratës nga i biri, që nuk do të qëllojë më të atin? Sipas gjykimit tonë, kjo ishte kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar. Grindja brenda llojit është më e tmerrshmja dhe shoqërohet me pasoja të rënda dhe nganjëherë të pariparueshme, si në rastin në fjalë. Dhe e keqja ndodhi.  Në psikologjinë tonë shqiptare raportimi  në polici i një anëtari të familjes ndaj një anëtari tjetër të familjes është e patolerueshme dhe shoqërohet me eksese të ndryshme, nuk flasin më, grinden, ruajnë inatet, por, në këtë rast, dhuna u bë më e egër, e pamëshirshme. Fantazia e shthurur shqiptare për të ushtruar dhunë është e pakrahasueshme, kur shoqërohet me mllefe. E atëherë ç’ndodh? Ndodhi ajo që s’duhet të ndodhte: vrasja me të njëjtin intensitet të  ushtrimit të dhunës, dy vrasje njëherësh! Para se të gjykosh një krim në aspektin penal (krim-dënim) ai duhet të  analizohet deri në kapilare në aspektin  social, për të ulur  aksesin dhe ndikimin e tij negativ.  Në rastin tonë konkret, duhet studiuar  sa baba ka qenë ai në jetën e tij, mos e ka rrahur të birin në të gjithë fëmijërinë me rrip dhe tani mllefi i  mbledhur i të birit shpërthen, çfarë begraundi ka patur,  i ka bërë dëm të tjerëve, veprimi i tij ka ardhur se e kishte brenda vetes të keqen, apo ka ardhur për shkak të transformimit të rëndë psikologjik në kushte tepër specifike, ka qënë më parë me precedentë penalë dhe  është në vazhdë të veprimtarisë së tij antiligjore e kriminale.  Arma në shtëpi ishte mbajtur nga i ati  që nga ‘97-ta, apo ishte sjelle nga i biri më pas, apo ishin  të dy në dijeni, por jo në marrëveshje me njëri tjetrin. Si rregull, babai i mirë nuk mban armë në shtëpi. Po ashtu,  paralel duhet analizuar edhe  i biri, që paska  patur problem me drejtësinë italiane, i dënuar, për çfarë i dënuar etj. Nga këto analiza do të dalë në pah se në ç’raport qëndron dinjiteti, nderi, ndershmëria, e drejta në krahasim me aktin kriminal.  Në polici denoncohen raste të ndryshme të dhunës në familje, policia mund t’i evidentojë, por nuk merren gjithmonë masa për eliminimin e pasojave dhe krijimin e sigurisë te personi i dhunuar, që kjo nuk do të përsëritet më. Grindja në familje për çështje prone ose nderi është dramatike dhe me pasoja. Njihet rëndom dhënia e urdhrit të mbrojtjes për gratë e dhunuara, që janë në prag divorci ose të divorcuara.  Kurse për rastin konkret, kjo nuk ka ndodhur. Mungon veprimtaria në terren e punonjësve psikologë të policisë,  për të zbutur problemet dhe aty ku është e mundur edhe eliminimi i tyre. Kjo ka një emër, neglizhencë.  Pra, policia nuk na mbron si duhet edhe kur është e sinjalizuar. Dhe pas vrasjes menjëherë mblidhen të gjithë, mblidhen ekspertë, polici gjyqësorë, nga komuniteti, media e shkruar e televizive, kronika e zezë mbush faqe me dramacitet informativ. Shpesh situatat e krizave familjare marrin zgjidhje me përfundimin e tyre, ndoshta edhe në tragjedi, por kur format e përballimit të krizave janë fatale, atëherë mendoj që realiteti social, kultura sociale luan rol për çdo vend në mënyrën e vet autentike. Por a mund të shfrytëzohen për motive studimi nga ekspertet kriminologe e psikologe këta njerëz që kanë kryer krimin e vrasjes  në kushte të rënda të një presioni psikologjik të vazhdueshëm? A mund të nxirren konkluzione të vlefshme nëpërmjet  zbërthimit, anketimit, testimit apo pyetjeve direkte apo indirekte. Si arritën deri këtu, motivet e para dhe qëllimet e fundit, si e justifikojnë mungesën e frikës nga ligji,  apo shpërfilljen e tij, para se të veprojnë në krim?  Janë konkluzione që vazhdimisht duhet të  përditësohen, për të  gjetur rrugë e forma për të  minimizuar veprimtarinë e tyre në të ardhmen.