Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton nisjen e punimeve në mbikalimin e Fushë Krujës nga dita e nesërme

103

Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të një deklarate të përbashkët me policinë e shtetit njofton nisjen e punimeve në mbikalimin e Fushë Krujës. Sipas njoftimit punimet do të nisin nga dita e nesërme dhe do të zgjasin deri më 13 prill.

Gjithashtu në deklaratë është sqaruar edhe devijimi që do të pësojë trafiku i automjeteve, si pasojë e punimeve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë median dhe opinionin publik se duke nisur nga dita e premte, datë 5 prill 2019, ora 08:00 dhe deri më 13.4.2019, në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, do të realizohen punime në rrugë si më poshtë vijon:

– Riparim dhe vendosje e barrierave akustike në Mbikalimin e Fushë Krujës, km 1+400, në segmentin rrugor: Mbikalimi Fushë Krujë-K-Fshat Hasan – Faza 1.

– Riparim për pjesën e poshtme të Mbikalimit të Fushë Krujës-Faza 1.

Për këtë arsye gjatë kryerjes së punimeve qarkullimi i mjeteve në pjesën poshtë mbikalimit të Fushë Krujës do të jetë me shpejtësi të reduktuar, lëvizja e mjeteve do të drejtohet në 2 korsi (nga 1 korsi për secilin drejtim) dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar, për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor, respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur, rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore në terren.