Autorët që më bën gjysmë njeriu, mbrohen nga policia

606
Sigal

Letër e hapur drejtuar ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri

I nderuar z.Ministër i Punëve të Brendshme, në radhë të parë ju uroj shëndet dhe punë të mbarë e suksese në detyrën e vështirë që keni marrë përsipër për rikthimin e rendit e qetësisë publike. Unë që vendosa t’ju shkruaj juve jam një qytetar 57-vjeçar nga fshati Piqeras i Komunës së Lukovës, Sarandë. Arsyeja e drejtimit me këtë letër të hapur autoritetit tuaj, është se vajta 23 ditë që lëngoj në shtratin e spitalit të Sarandës nga goditjet me sopatë që më bënë dy persona (at e bir) pa asnjë motiv as të dobëta e as të rënda, duke qenë mirë e bukur në punën time. Dëmtimet në trup i kam të rënda, aq sa pas katër ndërhyrjeve kirurgjikale, ende nuk mund të eci në këmbë dhe mjekët shprehen të pasigurt në rikthimin tim të gjendjes shëndetësore të mëparshme. Jam i gjallë se deshi zoti dhe falë punës dhe përkushtimit profesional të mjekëve. Por këtë përkushtim nuk e gjeta tek forcat e rendit. Që në fillim filluan me dezinformim të autoriteteve drejtuese të tyre dhe me pengim të publikimit në shtyp. Vetëm pas transmetimit nga kanalet televizive, kombëtare e lokale, mundën që pas dhjetë orësh të vinin inspektorët e policisë për të marrë kallëzimin. Kaq nga forcat e rendit dhe 23 ditë që unë lëngoj në shtratin e spitalit të Sarandës, nuk ka denjuar njeri të më shohë se si vete shëndeti, pa le më të ndalojnë autorët e masakrimit tim, të cilët lëvizin të lirë në Piqeras nën shoqërinë e ish-inspektorit të rendit, i cili bëhet pengesa e ndalimit të personave që më masakruan, pasi ka afera korruptive me ta gjatë qëndrimit të tij në zonën e bregdetit. Këtë nuk ta them se u dëmtova. Keni mundësi ta verifikoni me inspektorët tuaj duke pyetur në zonë për të dhe po e pengon edhe inspektorin e ri të ardhur para dy muajsh në zonën e bregdetit. Me shpresë në pritje se autoriteti juaj do të vendos drejtësi dhe do të flakë njëherë e përgjithmonë këta rrugaçë nga radhët e policisë së shtetit.

Avdul Cama