Automjete të vjedhura ‘pushtojnë’ rrugët, dorëzohet Policia Rrugore

472
Sigal

Problematik aksi Tiranë-Fushë Krujë –Laç- Lezhë. Shoferët: Policët, të implikuar me shkelësit e ligjit

Në shumë aksidente rrugore, protagonistë të përplasjeve kanë qenë automjete të grabitura, ndërkohë, policia rrugore është dorëzuar përballë këtij fenomeni tepër shqetësues. Referuar statistikave, në raste të tilla apo në aksione të ndryshme, ky fenomen rezulton më shqetësues në akset rrugore nga dalja e Tiranës drejt veriut, në Fushë-Krujë, Krujë e Laç. Jo vetëm kaq, por në shumë raste, automjete të grabitura që ndiqen, të tjera që largohen nga aksidentet apo të përdorura nga persona të ndryshëm, ikin drejt këtyre zonave ku gjejnë “strehë”, apo gjenden të djegura. Po ashtu, makinat me xhama të zinj qarkullojnë lirshëm në këto akse, ndërsa Policia Rrugore o ka frikë që t’i ndalojë, ose pjesëtarë nga blutë, janë bashkëpunëtorë me persona apo grupe që shkelin ligjin.

RASTI I FUNDIT

Sipas konfirmimeve, dosa orë më parë, rreth mesnatës, një çift ka rënë pre e grabitjes me dhunë të dy personave të armatosur, të cilët përmes kërcënimeve u kanë vjedhur automjetin me të cilin ata lëviznin. Pikërisht, në Qafë-Kashar në Tiranë, dy persona të armatosur i kanë ndërprerë rrugën një automjeti që ishte në lëvizje dhe kanë vjedhur me dhunë drejtuesin e mjetit dhe të dashurën e tij. Grabitësit, pasi i kanë goditur, iu kanë marrë automjetin tip “Benz” me targa AA 224 FT me të cilin po lëvizte çifti. Mësohet se, autorët janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës. Deri në orët e vona të ditës së djeshme, ky automjet nuk është gjetur nga policia. Po ashtu dhe autorët, si në shumë raste gjatë kohëve të fundit, mbeten anonimë. Po në këtë zonë u larguan dy vrasësit e bankierit Artan Santo. Jo vetëm që autorët nuk janë identifikuar, por dhe motori që bëri xhiro në lagjet e populluara të Tiranës, iku pa u trazuar për t’u ‘zhdukur’ në zonën e Krujës.

PAAFTËSI E POLICISË

Paaftësinë e Policisë Rrugore për të normalizuar situatën, drejtues të mjeteve, e lidhin dhe me implikimin e punonjësve të veçantë të kësaj strukture me shkelësit e ligjit, kundrejt përfitimeve. “Unë e bëj shpesh rrugën Tiranë-Lezhë, po zona nga Fushë -Kruja e në vazhdim është e vështirë. Makina me targa false apo dhe me xhama të zinj, jo vetëm që nuk ndalohen nga policia, por po na rrezikojnë shpesh dhe ne në aksidente. Policët Rrugorë kanë hallin të na zhvatin me gjoba ne që jemi në rregull. Ndaj dhe kjo është ndër zonat më problematike dhe me shumë aksidente”,- pohon një nga shoferët që punon në këto akse rrugore.

Gerjola ÇAUSHI