“Audi” humb kontrollin dhe përplaset me dy makina, plagosen 5 persona

86
Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku pesë persona kanë mbetur të plagosur nga përplasja e tre automjeteve. Aksidenti ka ndodhur në autostradën Vlorë-Fier në aksin rrugor të Panajasë. Nga verifikimi paraprak i shërbimeve të Policisë që kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ka rezultuar se shkak për aksidentin është bërë humbja e kontrollinit nga njeri prej automjeteve.
Sipas policisë së Vlorës, mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin K.D, 22 vjeç, gjatë drejtimit të makinës ka humbur kontrollin, dhe ka goditur nga pas mjetin tip “Hyndai” me drejtues shtetasin Q.M, 34 vjeç.
Si pasojë e përplasjes së këtyre dy mjeteve, errësirës dhe bllokimit të rrugës, është përplasur me trafikndarësen edhe mjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin D.L, 24 vjeç.
Për pasojë kanë mbetur të dëmtuar të tre drejtuesit e mjeteve, si edhe 2 shtetasit pasagjerë, Sh.L, 29 vjeçe; dhe E.M, 29 vjeç, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor në përfundim të hetimit dhe përcaktimit të rrethanave të aksidentit ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit tip “Audi”, shtetasin Klevis Deliaj, 22 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme.