Atentati tek “Komuna e Parisit”, rrëfehet i plagosuri: Pse u qëllova me armë

543
Për disa ditë me radhë, Mariglen Hoxha, 25 vjeç, i njohur ndryshe si Lorenc Hoxha, nuk ka dhënë shpjegime në spital për hetuesit e policisë. Ai nuk ka pranuar të flasë në lidhje me autorët e atentatit apo motivet e sulmit me armë ndaj tij te “Komuna e Parisit”.
Por pas kapjes së katër personave të dyshuar, mësohet se ai ka treguar motivin e ngjarjes.
I riu u ka thënë hetuesve se ka qenë bashkë me një të afërm te sheshi “Nënë Tereza”, pranë Politeknikut, kur ka pasur një konflikt me disa persona për çështjen e xhirimit të gomave të automjeteve. Nga ana tjetër, policia i identifikoi autorët e krimit falë pamjeve të kamerave të sigurisë.
Pamjet e para u publikuan në internet nga një dëshmitar që ishte ndodhur pas makinës “BMW X5” të autorëve kur ata zbritën në semafor dhe qëlluan brenda në makinën e tij tip “Benz” shtetasin Mariglen Hoxha, i njohur edhe me emrin Lorenc.
Kjo video e sekuestruar në cilësinë e provës identifikoi targat e automjetit dhe fytyrat e dy prej personave të përfshirë në krim. Duke lokalizuar vendin ku ndodhi krimi, policia kërkoi pamjet e kamerës ballore në kryqëzimin e “Komunës së Parisit”, ku pamjet tregonin fare qartë autorët e krimit dhe momentin kur ndodhi e gjithë ngjarja.
Nga pamjet duket momenti kur makina tip “Benz” e Mariglen Hoxhës ka ndaluar në semaforin e kryqëzimit te “Komuna e Parisit”. Në krah të saj afrohet me shpejtësi makina tip “BMW X5” e autorëve me ngjyrë të zezë. Prej saj dalin tre persona nga vendet e pasagjerëve.
I vetmi që nuk lëviz është drejtuesi i mjetit, ndërsa tre personat e tjerë shkojnë te makina tip “Benz” me ngjyrë të bardhë ku ndodhej Mariglen Hoxha dhe pasi hapin derën e pasagjerit, qëllojnë nga distanca e afërt ndaj tij.
Ndërsa mjeti i bardhë ku ndodhej i plagosuri niset me shpejtësi duke goditur një fuoristradë që ndodhej para dhe duke prekur në krahun e majtë edhe makinën e autorëve, tre personat që qëlluan me armë hipin në mjetin e tyre, i cili largohet në drejtim të kundërt me automjetin e Mariglen Hoxhës.
Pasi është qëlluar me armë në dorë dhe në shpatull, ky i fundit del nga makina bashkë me një person tjetër dhe largohen në drejtim të spitalit. Automjeti i lënë pa frena ka ecur çrregullt duke ndaluar vetëm pasi është përplasur me një mur në tunelin mes pallateve në zonën ku ndodhi krimi pranë “Komunës së Parisit” në Tiranë.
Sigal