Atentat ndaj 35-vjeçarit në mes të Bllokut

426
Një ish-efektiv policie u ekzekutua me disa plumba pistolete, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ajet Zeqaj, 35 vjeç, ishte pre e një atentati. Vrasësi e ka pritur të dalë nga një sallë bastesh sportive dhe e ka qëlluar me një pistoletë me silenciator. Zeqaj ishte i shoqëruar me një mikun e tij, i cili i ka shpëtuar plumbave. Duket se ekzekutori e kishte në shënjestër Zeqajn dhe është kujdesur të qëllonte vetëm mbi të. Viktima nga fshati Qesarat i Tepelenës kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Franca. Policia rrethoi menjëherë zonën, e cila në momentin e vrasjes ka qenë e mbipopulluar. 
Miku i viktimës është shoqëruar në polici. Gjatë marrjes në pyetje, ai është shprehur se nuk ka mundur dot të shquajë ekzekutorin, i cili është larguar me shpejtësi. Gjithsesi, policia pret të nxjerrë prej tij ndonjë detaj më shumë që do ta çojë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Policia ka shoqëruar edhe një numër të madh dëshmitarësh okularë. Paraprakisht dyshohet se është një vrasje e importuar nga jashtë Shqipërisë.
Sigal