Atentat mafioz biznesmenit në Fier, ekzekutohet me 13 plumba

434
Sigal

Ekzekutohet me armë zjarri brenda në automjet një biznesmen në Fier. Ngjarja është verifikuar rreth orës 8:30 të mëngjesit të sotëm në qendër të qytetit.  Viktima është identifikuar si shtetasi Agron Ymeraj, 53 vjeç, pronar i një firme hidro-sanitare. Nga burime policore mësohet se biznesmeni është qëlluar me breshëri automatiku në momentin që ka hipur në automjetin e tij, tip “Audi” me targë “AA 758 BF”, që qëndronte i parkuar 50 metra larg banesës.  Dyshohet se autorët i kanë zënë pritë dhe në kohën që 53-vjeçari është futur në makinë është qëlluar mbi të nga jashtë me breshëri plumbash. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 12 gëzhoja. Nga hetimet e para dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi dy djemtë e viktimës rreth një vit e gjysmë më parë u akuzuan për vrasjen e inxhinierit të naftës Kol Veshi, por që do të liroheshin më pas për mungesë provash.  Ka qenë roja i parkingut ai që ka njoftuar policinë ditën e sotme pasi ka pikasur biznesmenin e vrarë në automjet.