Asgjësohet rrjeti i trafikut të kanabisit e kokainës Shqipëri-Greqi

509
Policia greke ka njoftuar asgjësimin e një rrjeti kriminal që trafikonte drogë të sjellë nga Shqipëria. Prangat iu janë kaluar 23 shtetasve shqiptarë, mes të cilëve edhe kreut të rrjetit.

Sipas komunikatës së policisë, rrjeti i mirëstrukturuar, kishte trafikuar gjashtë muajt e fundit më shumë se 200 kilogramë kanabis dhe 5 kg heroinë.

Droga, pasi sillej nga Shqipëria, magazinohej në Athinë. Në kryeqytet, kanabisi shitej me 800 euro kilogramin, ndërsa kokaina, 38 euro për gram.

Më i shtrenjtë ishte çmimi në ishullin e Kosit: 1500 euro kilogrami i kanabisit dhe 80-100 euro, grami i kokainës.

Në ishull, droga dërgohej me linjën e tragetit që nisej nga porti i Pireut dhe atë e transportonin kryesisht gra, të shoqëruara me fëmijë, që të mos ngjallnin dyshime. Për të njëjtin qëllim, droga në ishull dërgohej çdo herë në sasi të vogla: 10 kg kanabis dhe 100 gr kokainë.

Kreu i grupit thirrej nga pjesëtarët e tjerë si “bosi” apo “fabrika”, për arsye se mbante nën kontrollin e vet çdo veprimi, madje edhe shitjen e vetëm një grami kokaine.
Sigal