Asgjësohet 1 ton hashash në Mirditë, në pranga një prej poseduesve

490
Policia ka sekuestruar dhe asgjësuar një ton drogë të llojit kanabis sativa, ka arrestuar në flagrancë një person dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë, pas një aksioni të ndërmarrë në fshatin Bulsharë të rrethit të Mirditës.
Në operacionin e koduar “Oroshi”, Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikeve në Drejtorinë e Policisë Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Viktor Kola, banues në fshatin Bulsharë të Mirditës dhe u shpallën në kërkim Akelian, Albert dhe Marte Gjoka, që të tre banorë të fshatit Bulsharë.
Arrestimi dhe shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi gjatë një kontrolli të ushtruar janë gjetur 2 parcela të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa. Njëra parcelë ishte e korrur dhe materiali bimor ishte ne proces tharje me një peshë prej 931 kilogramësh, e cila u asgjësua me anë të djegjes.
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8 thasë me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa me një peshë prej 57 kg, e cila ishte bërë gati për t’u hedhur në treg. Në parcelën tjetër u gjetën 155 rrënjë kanabis sativa, të cilat u asgjësuan po me me anë të djegjes.
Policia po punon për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, që akuzohen kultivim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Sigal