Asgjësohen mbi 16 mijë rrënjë kanabis në Tepelenë

439
Policia e Shtetit gjatë ditës së sotme ka ndërmarrë një operacion të gjerë antikanabis në Dilan të Kurveleshit, në Tepelenë. Operacioni antikanabis i koduar “Kreshta”, është zhvilluar në vendin e quajtur Zaberdice dhe Dilan të Kurveleshit. Në operacion morën pjesë 100 forca policore dhe 20 automjete të policisë. Në operacion morën pjesë gjithashtu FNSH, Policia e Tepelenës dhe Drejtoria e Policisë Gjirokastër, të cilët asgjësuan 16.305 bimë narkotike si dhe ndaluan një person si të dyshuar për kultivimin e lëndëve narkotike. Bimët ishin të kultivuara në parcela të mëdha, të ndara në mini parcela si dhe të lidhura me njëra-tjetrën. Bimët narkotike varionin nga 60 centimetra deri në 160 centimetra të larta. Në afërsi të parcelave është kapur një shtetas, Çune Batha, 52 vjeç, nga fshati Plesat Gjirokastër, i cili është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, ku në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i tij si autor i dyshuar. Ndërkohë, po vijon puna për evidentimin dhe kapjen e autorëve të tjerë. Operacioni do vijojë në kontrollin e plotë të territorit në rrethin Tepelenë nga efektivat e Komisariatit të Policisë Tepelenë me mbështetjen e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër. Tuesday, August 25, 2015 – 20:19
Sigal