Arta Marku vazhdon lëvizjet në Prokurorinë e Përgjithshme, ja kë ka larguar së fundmi

633
Me ardhjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme kanë pasuar një sërë lëvizjesh në këtë institucion.
Pas lëvizjeve në krye të prokurorive dhe ngritjes së seksioneve të posaçme në organet e Akuzës, Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku ka ndryshuar edhe trupën e gardistëve që e shoqëron.
Kryeprokurorja Marku ka ndryshuar pesë nga shtatë punonjësit e Gardës që e shoqërojnë për çështje sigurie. Ajo ka bërë kërkesë në Gardën e Republikës për zëvendësimin e gardistëve në fjalë, të cilët kanë qenë në trupën e shoqërimit të paraardhësit të saj, Adriatik Llalla.
Burimet thonë për “Panoramën”, se Marku do të ndërrojë edhe dy gardistët e mbetur që shoqëronin Llallën. Ata do të zëvendësohen me dy të tjerë nga Garda e Republikës.
Që nga marrja e detyrës, Kryeprokurorja Marku ka bërë shumë ndryshime në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në ato të rretheve. Ekzaktësisht, dhjetë ditë pasi mori detyrën, Kryeprokurorja Marku lëvizi kreun e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fushën, duke e zëvendësuar atë me Dritan Rreshkën.
Ajo kreu lëvizje edhe brenda Prokurorisë së Përgjithshme, duke shkarkuar ish-drejtoren e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Rovena Gashin. Ajo u zëvendësua nga Arqile Koça. Gashi madje bëri edhe padi në Gjykatën Administrative për shkarkimin, duke kërkuar rikthimin në detyrën e mëparshme.
Sigal