Arrestohet Xhemshit Krasniqi, pas 5 vitesh në arrati, dyshohet për krime lufte

42
Policia e EULEX-it pas më shumë se 5-së vitesh ka arritur të arrestojë Xhemshit Krasniqin, i cili dyshohet për krime lufte. Në maj të vitit 2010-të forca të mëdha të policisë së EULEX-it, për më shumë se dy orë, kishin bastisur në Prizren shtëpinë e Xhemshit Krasniqit, ish-ushtar dhe epror i UÇK-së. Që nga ajo ditë Xhemshit Krasniqi i është shmangur misionit ndërkombëtarë të EULEX-it. Për Krasniqin ekziston dyshimi i bazuar se, ka kryer vepër penale krime lufte kundër popullsisë civile, që supozohet të jenë kryer në Qendrat e UÇK-së të vendosura në Kukës dhe Cahan (Shqipëri) gjatë prillit, majit dhe deri në mesin e qershorit të vitit 1999.

Dyshimi i bazuar rrjedh prej rezultateve të hetimeve, të cilat zbulojnë që Xhemshit Krasniqi, ishte ushtar i UÇK-së, me cilësi menaxheriale dhe mbikëqyrëse në relacionin me të burgosurit të mbajtur në Kukës dhe Cahan. Policia rajonale e Kosovës nuk ka asnjë informatë rreth këtij rasti, thotë zyrtari për informim, kapiten Hazir Berisha. Gjatë arrestimit të Xhemshit Krasniqit familjarët thonë se forcat e EULEX-it kanë përdorur dhunë dhe dy familjarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal. Djali i ish- ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhemshit Krasniqit ka shpërthyer në akuza ndaj qeverisë së vendit. Madje, ai ka mallkuar ardhjen e tyre në pushtet.