Arrestohet pronari i telefonit në tritolin tek “Muhamet Gjollesha”

424
Sigal

TIRANE – Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 26 vjeçar pasi akuzohet se ka penguar uniformat blu që të bëjnë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar lidhur me shpërthimet me tritol të së martës ku në qendër të tyre ishte familja e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Në prangat e policisë ka rënë Emirjon Gjuta 26 vjeç, banues në Kamëz, ndërsa ndalimi i tij është bërë në orën 03:00 të mëngjesit të ditës së sotme.

Burime nga Policia bëjnë të ditura, se një nga kartat e telefonit të përdorura për shpërthimet me tritol mëngjesin e së martës në Tiranë, është në emër të Gjutës.

Sipas policisë, arrestimi i tij është bërë pasi ai me veprimet dhe mosveprimet e tij dyshohet se ka penguar identifikimin e personave të dyshuar si autor të akteve terroriste të martën e shkurtit.

Vetë Gjuta përpara hetuesve ka mohuar akuzat në fjalë, duke pretenduar se telefonin ia kishin vjedhur, dhe se nuk ka asnjë lidhje me aktet terroriste të pak ditëve më parë ndaj familjes së Tahirit.

Lidhur me shpërthimet me tritol në Tiranë, policia ka shoqëruar dhe mban të arrestuar disa persona, mes tyre edhe Alfred Qefalinë, shokun e Admir Tafilit, i njohur për arratisjen nga burgu i Drenovës.