Arrestohet polici privat, merrte 1000-3000 lekë për radhën tek koalidimi në Laç

399
Efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë vënë në pranga një polic privat pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Laç me akuzën për korrupsion.
Sipas burimeve zyrtare në pranga ka rënë 41-vjeçari Genc Goci, banues në Fushë-Mamurras, me detyrë punonjës privat i një Shërbimi të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, i vendosur pranë DRSHTRR, dega Laç.
Goci favorizonte mjete të ndryshme jashtë radhës për kryerjen e kontrollit teknik pranë SGS Laç, kundrejt shumave të ndryshme që varionin nga 1000-3000 lekë të reja.
Shërbimet policore kanë vepruar pas ankesave të shumta nga qytetarë të ndryshëm për radhët e gjata të krijuara pa shkak pranë këtij institucioni, moment i cili shfrytëzohej në funksion të akteve korruptive nga shërbime të rojeve private të caktuara në këtë institucion.
Në cilësinë e provës materiale iu gjetën dhe sekuestruan një shumë prej 7000 (shtatë mijë) lekë të reja.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Korrupsion pasiv në sektorin privat“.
Sigal