Arrestohet për trafik prostitucioni polici i Portit Detar të Durrësit

486
Sigal

Ndihmoi kundrejt shpërblimit në para trafikantin që të çonte një vajzë në Itali

Ndihmoi një person të trafikonte jashtë vendit një vajzë për qëllime prostitucioni, vihet në pranga ndihmëskontrollori në Pikën e Kalimit Kufitar të Durrësit. Konfirmohet zyrtarisht se punonjësi i policisë Kryeinspektor Artan Telha, 42 vjeç, është arrestuar në flagrancë nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm Elbasan, pasi rreth orës 05:00 të ditës së martë ka ndihmuar shtetasin Klodjan Novaku, të kalojë nga Shqipëria për në Itali, së bashku me shtetasin A. Sh., kundrejt shpërblimit në të holla. Punonjësi i policisë, me detyrë Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, Kryeinspektor Artan Telha, 42 vjeç, lindur në fshatin Iballë të rrethit Pukë dhe banues në Durrës, u arrestua për kryerjen e elementëve të veprës penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu është bërë arrestimi i shtetasit Klodjan Novaku, 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Arrestimi i këtij shtetasi u krye për veprën penale të “Trafikut të të rriturve” e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtjes pa leje. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi është sekuestruar një armë pistoletë e tipit Zastava, një shumë të hollash prej 670 Euro, një telefon i markës “Nokia”, pasaportë dhe kartë identiteti dhe 2 bileta udhëtimi në emër të Klodjan Novaku dhe Adile Shabani, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Fillimi i hetimeve për këtë çështje ka nisur pas kallëzimit të shtetasit R. Sh., i ati i shtetases A.Sh., i cili ka denoncuar në polici se e bija e tij është marrë me anë të mashtrimit me qëllim trafikimin e saj për prostitucion nga shtetasi Klodjan Novaku. Strukturat e sektorit të SHKB-së Elbasan dhe Sektorit për Narkotikët dhe Trafiqet në Drejtorinë e Policisë Qarkut Elbasan, pas kryerjes së të gjitha veprimeve procedurale, organizuan operacionin “Ndalimi”, duke bërë të mundur arrestimin e shtetasit Klodjan Novaku dhe punonjësit të policisë Artan Telha. Materialet ju përcollën Prokurorisë së Elbasanit dhe vazhdojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Do hetohet, gjithashtu, nëse në këtë trafik dhe persona të tjerë të implikuar direkt apo indirekt.