Arrestohet për korrupsion kreu i Gjykatës së Pukës

508
Sigal

TIRANË/Disa ditë më parë, nën akuzën e korrupsionit, u arrestuan gjashtë vartës, bashkëpunëtorë e sekserë të kreut të gjykatës.

Korrupsioni i shumëpërfolur i njerëzve të drejtësisë në rrethin e Pukës, çon në pranga dhe kreun e Gjykatës së këtij rrethi, Prendush Lleshin. Lleshi është personi i shtatë i funksionarëve lokal të drejtësisë që arrestohet pas denoncimit në një emision televiziv investigativ rreth tre javë më parë. Sipas burimeve zyrtare për gazetën “Telegraf” arrestimi i Prendush Lleshit u bë në një lokal në afërsi të shtëpisë së tij në rrugën “Don Bosko’ në Tiranë, pikërisht në atë lokal, ku sipas akuzës, janë realizuar aferat korruptive që çuan në pranga shtatë persona.

ARRESTIMI

Burimet zyrtare konfirmojnë për gazetën “Telegraf” se, arrestimi i kreut të Gjykatës së Pukës, u bë pasditen e djeshme, në kuadër të operacionit të koduar “Shpërblimi”. “Nga Seksioni për Korrupsionin në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në kuadër të Operacionit policor ‘Shpërblimi’, u bë i mundur arrestimi i Shtjefën Prendush Lleshi, vjeç 58, i cili kryente detyrën e Kryetarit të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Pukë, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ditën e enjte, ka caktuar masën e sigurimit personal ‘arrest në burg’, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale  ‘Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë’ i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal. Arrestimi i Prendushit u bë në një lokal në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, jo larg banesës së tij”,-shtojnë burimet zyrtare.

AKUZAT

Emri i Prendush Lleshit u përfol në një emision televiziv si person që në bashkëpunim me vartës e me sekserë, kundrejt përfitimeve që shkonin deri në 6 milion lekë, jepte vendime të kundër ligjshme për ndryshime mase siguria e liri për disa familjarë të arrestuar për një protestë të paligjshme. “Lleshi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Prençi, Liljana Shkjau, Meliha Kukaj, Fran Dashi, Friz Xhurxhi dhe Dëfrim Prençi, kanë ndërhyrë në procedurat ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’, me qëllim për të përfituar shpërblim financiar. Bashkëpunëtorët e tij u arrestuan para disa ditësh, kurse arrestimi i tij, për shkak të imunitetit, u bë në përputhje me kërkesat ligjore në raste të tilla”,- shtojnë burimet për “Telegraf”.