Arrestohet për korrupsion inspektori i tatimeve, kryetar i PS-së dhe i dënuar për trafik droge

608
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Të përditshme janë faktet që dëshmojnë se njerëzit e botës së krimit janë lidhur fort me qeverinë. Madje, ka edhe njerëz që janë dënuar për trafiqe drogash në shtete të ndryshme të Evropës, mirëpo, duke i shërbyer me militantizëm Partisë, shpërblehen, pas fushatave zgjedhore me poste shumë të rëndësishme shtetërore. Por, me qenë se vesi nuk hiqet, as zakoni nuk harrohet, njerëzit e botës së krimit, tashmë të veshur edhe me pushtetin e detyrës shtetërore vazhdojnë veprimtarinë e tyre kriminale, duke shfrytëzuar dhe shpërdoruar detyrën shtetërore për të përfituar të mira materiale.

Ligji i dekriminalizimit nuk funksionon për militantët e Partisë

Policia e Shtetit njoftoi se nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi proaktiv 3-mujor për veprat penale ”Korrupsion pasiv personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion aktiv i personave që ushtojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Gentian Elezi, 29 vjeç dhe Artan Kroj 37 vjeç, të cilët, duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe iu merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lekë për çdo rast. Deputeti Myslim Murrizi kishte paralajmëruar ditë më parë se drejtuesi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Artan Kroi dhe njëherësh kryetar i PS-së në njësinë nr.3 në Tiranë është arrestuar po ngjarja po fshihet me urdhër politik. Sipas deputetit Murrizi, Kroi, është mik i deputetes Klotilda Bushka nuk duhet të ishte fare në administratë, sepse ai rezulton i dënuar me 7 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge në Greqi në vitin 2004 me emrin Marjels Kroj. Duke ndërruar emrin, banditi gjobëvënës i Rilindjes i është shmangur ligjit të dekriminalizimit.

Pse qeveria nuk emëron në shtet njerëzit e ndershëm?

Njerëzit pyesin me të drejtë: Si ka mundësi që një i dënuar për trafik drogash në Evropë të jetë kryetari i PS-së? Është rastësi që këta njerëzit e botës së krimit emërohen, paskëtaj edhe në administratën e shtetit? Cilët janë ata ministra, deputetë, që emërojnë këta njerëz të botës së krimit në poste kaq të rëndësishme të shtetit? Sot, bashkë me prangat e këtyre drejtuesve të korruptuar, duhet të flaken nga partia, nga parlamenti, nga postet qeveritare edhe ministrat, edhe deputetët që emëruan trafikantin e drogës kryetar të PS dhe inspektor të Tatimeve, si drejtues të shtetit që kanë lidhje me njerëzit e botës së krimit, në bazë të ligjit të dekriminalizimit. Përse qeveria nuk emëron në administratën publike njerëz të ndershëm, të shkolluar, të pastër? Edhe sikur këta të jenë militantë partie, nuk prish asgjë, nuk cenohet ligji, sepse me ndershmërinë, me integritetin, me personalitetin e tyre këta njerëz do t’i shërbejnë ligjit, shoqërisë, shtetit.