Arrestohet Kryekomisari i Korçës, shpallet në kërkim polici te vendngjarja e vrasjes të komisarit të Shijakut

497
Sigal

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, ka kryer veprimet e para hetimore në ngarkim të punonjësve të policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, pasi mbi ta rëndon akuza për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, lidhur me mosveprimet e tyre në ngjarjen tragjike të datës 13.09.2012, ku humbi jetën Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem  Tahiraj. Këto veprime janë kryer krahas veprimeve hetimore të kryera nga sektori i Krimit të Organizuar pranë DPQ Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda. Të dy punonjësit e policisë që kanë qenë në vendngjarje, duke kryer detyrën së bashku  me Kryekomisar Tahirajn, megjithëse kanë patur të gjitha mundësitë, nuk kanë kryer asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, neutralizuar vrasësin apo për ta  kapur dhe arrestuar  atë. Paralelisht, shkeljet e mësipërme, të kryera nga punonjësit e policisë  Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, referuar edhe pasojës tepër të rëndë të ndodhur, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe përmbajnë elementë të figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Për këtë arsye, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, bëri ndalimin e punonjësit të policisë Fatmir Hoxha për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe  ka shpallur në kërkim policor punonjësin tjetër të policisë Kastriot Gosturani, i cili i është shmangur hetimit  të kryer nga ana e SHKB-së. Materialet i janë referuar për ndjekje penale dhe kompetencë, Prokurorisë së rrethit Durrës. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me seksionin e Task -Force të Prokurorisë së rrethit Korçë, arrestoi sot në kushtet e flagrancës Shefin e Komisariatit Korçë, Kryekomisar Nikolin Thana, duke marrë si mitmarrje shumën prej 100 mijë lekësh të reja. Së bashku me Kryekomisar Thanën, janë arrestuar në kushtet e flagrancës edhe Jetnor Hysenllari, punonjës i Komunës Voskopojë, Arben Hasanllari, punonjës i policisë së Komunës Voskopojë, si edhe shtetasi Hysni Myrtollari, të cilët në këmbim të favoreve për të njëjtën çështje përfituan si mitmarrje shuma të ndryshme lekësh.