Arrestohet ish-Presidenti i Klubit Partizani, Paro Laçi

532
Sigal

Pritet ekstradimi në Itali, ku është dënuar me 10.5  vite burg “Për pjesëmarrje në organizatat kriminale”

Ish- Presidenti i Klubit Partizani i shumëpërfolur kohët e fundit për implikime dhe trafik droge në shtetin fqinj të  Italisë është  vënë sot nën pranga. Arrestimi i tij u bë dje në mbrëmje në kryeqytet në një aksion “blic” të policisë, megjithëse, burime konfidenciale bëjnë me dije se, Paro Laçi ka qenë nën survejimin e inspektorëve kriminalë për të parë se deri ku, depërtonin lidhjet e tij  në Shqipëri. Sipas Policisë së Shtetit thuhet se: “Më datë 12.01.2014, rreth orës 20:00 nga shërbimet e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr.3 Tiranë, duke vlerësuar në kohë informacionet e grumbulluara, u bë e mundur, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Paro Destan Laçi, 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar në Itali. Arrestimi i tij u bë, pasi ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, në bazë të Urdhrit të Prokurorisë së Apelit Tiranë, për ekzekutimin e vendimit datë 03.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila ka shfuqizuar masën e sigurisë “Arrest në Shtëpi” dhe ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në Burg” për efekt ekstradimi në shtetin e Italisë.  Kjo masë ka ardhur sepse Interpol Roma-Itali ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar pasi Gjykata e Milanos me Vendim të saj të datës 09.04.2011 e ka dënuar Paro Destan Laçi, me 10 vjet e 6 muaj burg për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikim të lëndëve narkotike” parashikuar nga nenet 73, 80, të nenit 309/90 të Ligjit Italian për Drogat”, përfundon njoftimin e saj policia. Me sa duket drejtësia italiane nuk toleron dhe se vendimi i gjykatave të saj  do të ekzekutohet me çdo kusht dhe në çfarëdolloj rrethanash. Në këtë kuadër, organeve të drejtësisë dhe atyre të rendit shqiptarë u lind e drejta të mësojnë edhe nga ky rast dhe të  kërkojnë  të ekstradojnë nga Italia dhe vendet e tjera  të gjithë kriminelët, trafikantët dhe bosët e prostitucionit shqiptar duke i vënë  para drejtësisë së munguar.