Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 9-vjeçarit në Deçan

461
Një fëmijë 9-vjeçar ka mbetur i vrarë pasi është qëlluar me breshëri armë automatike ditën e djeshme (23 dhjetor) në fshatin Strellc i Epërm, në komunën e Deçanit, Kosovë.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në orën 16:15 në sheshin “Ismet Ukaj” të fshatit, ku si pasojë e të shtënave është qëlluar edhe 9-vjeçari Ylber Malaj.
Mediat kosovare njoftojnë se fëmija është dërguar menjëherë në spitalin rajonal në Pejë për t’i ofruar ndihmën mjekësore, por ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të rënda.
Policia kosovare njofton se ka arritur të identifikojë mjetin tip xhip “Frontera” dhe si personin e mundshëm 19-vjeçarin Donald Lufaj, i cili ka qëlluar drejt lokalit “Dyner Joni” në këtë zonë, në brendësi të të cilit ndodhej dhe fëmija.
Nga kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit është konfiskuar edhe arma automatike Kallashnikov AK47, për të cilën dyshohet se është përdorur për sulmin.
Për momentin për Lufaj është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, por ende nuk dihen shkaqet e sulmit, njofton Policia e Kosovës
Sigal