Arrestohen kryetari i Komunës së Zall Herrit dhe kryeplaku i fshatit

623
Sigal

Operacioni policor “Azilanti i rremë” , i realizuar nga Seksioni Kundër Korrupsionit në Policinë e Tiranës në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit dhe Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, kanë bërë të mundur bllokimin në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas të shtetasit Osman Islamaj 24 vjeç, lindur në Kukës e banues në Zall Herr Tiranë. Bllokimi i tij është bërë për arsye se ai kishte me vete dokumente të lëshuara nga komuna Zall Herr, të cilat pasqyronin të dhëna në lidhje me hasmëritë që ky person dhe familjaret e tij kishin me një familje tjetër në Tiranë. Nga veprimet e kryera dhe deklarimet e personit të mësipërm, rezultoi se shtetasi i mësipërm ishte pajisur me këto dokumente të lëshuara nga Kryetari i Fshatit Pëllumb Gjoka dhe Kryetari i Komunës Gani Alushi, dokumente, të cilat ishin lëshuar në kundërshtim me aktet normative që rregullojnë punën e këtyre njësive vendore dhe për më tepër dokumentet që posedonte personi në momentin e ndalimit në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas, ishin të ndryshme nga dokumentet e sekuestruara në sekretarinë e Komunës Zall Herr megjithëse të dy palët e dokumenteve ishin nënshkruar nga personat e mësipërm. Sa më sipër, u arrestuan në flagrancë shtetasit Gani Alushi, vjeç 52, me banim në Tirane me detyrë Kryetar i Komunës Zall Herr – Tiranë dhe shtetasi Pëllumb Gjoka vjeç 42 me detyrë, Kryetar i fshatit Zgafnor, Komuna Zall Herr, për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve parashikuar nga nenet 248 dhe 186 të K.Penal. Materialet ju referuan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.