Arrestohen dy persona nga Elbasani, lëviznin të armatosur në Vlorë

458
Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona nga Elbasanit, të cilët po lëviznin me një makinë dhe të armatosur. Sipas policisë Armand Dedja 37 vjeç dhe Saimir Preça 22 vjeç, u kapën në aksin rrugor në hyrje të qytetit të Vlorës, në vendin e quajtur “Pusi i Mezinit”. “Gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në automjetin tip “BENZ” me targë: AA 575 JY, ku udhëtonin shtetasit e mësipërm, Shërbimet e Policisë, kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri “Automatik” model 56, bashkë me 1 krëhër, 1 armë zjarri Pistoletë të llojit “EKOL” bashkë me një krëhër me 15-fishekë të kalibrit 9 mm, 1 granatë dore difensive, 1 ndezës granate, 4 aparatë celularë. Gjithashtu, është bllokuar edhe automjeti i mësipërm në pronësi të shtetasit Artan Dedja”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia po heton për të zbardhur qëllimin e lëvizjes së këtyre dy shtetasve nga Elbasani të armatosur në qytetin e Vlorës.
Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të këtyre shtetasve për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Sigal