Arratisje spektakolare, i dënuari me 18 vite burg i arratiset policisë nga makina

558
Sigal

Qytetarët pyesin: Kur policia nuk ruan dot të arrestuarit në qeli, si mund të ruaj njerëzit e lirë nga krimi që ka pushtuar rrugët!?

Në Shqipërinë e ditëve të sotme dhe burgjet nuk janë të sigurta për izolim të kriminelëve, pasi ata dhe mund të arratisen. Ky nuk është një rast i veçantë, por pason shumë të tjerë të ndodhur tek ne. Qytetarët shtrojnë pyetjen: “Kur policia nuk ruan dot të arrestuarit në qeli, si mund të ruaj njerëzit e lirë nga krimi që ka pushtuar rrugët!? E siç ndodhi dje, në vend të të dënuarin me 18 vite burgim, shkojnë dy policët që paguheshin për ruajtjen e tij! Një 22-vjeçar i dënuar me 18 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë ka kryer një arratisje spektakolare mesditën e djeshme nga makina e policisë e cila po e shoqëronte nga Drejtoria e Policisë së Tiranës drejt burgut të Fushë-Krujës. Burime nga policia bënë me dije se si arratisuri është Mirgen Ymeri. I riu ka mundur t’i shpëtojë togës së shoqërimit. Ndërkohë, policia ka ngritur postblloqe në të gjitha hyrje daljet e kryeqytetit. Operacioni më intensiv i kërkimit për kapjen e të riut të arratisur po zhvillohet në zonën e Yzberishtit në pallatet e reja dhe në ndërtim të kësaj zone. Ndërkohë, pak orë më pas, policia ka vënë në pranga dy punonjësit e policisë që bënë shoqërimin.  “Më datë 16.09.2014 rreth orës 17:30’ Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, realizoi arrestimin e tre punonjësve të policisë, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”:-Luan Zeqir Mulgeci, 47 vjeç, me gradën Kryeinspektor, me detyrë ndihmës specialist i shoqërimit në Seksionin e Sigurimit të Shoqërimit të Forcave të Posaçme; Gëzim Vaip Dervishi, 50 vjeç, me gradën N/Komisar, me detyrë Specialist Informacioni, ndërsa do të ndiqet në gjendje të lirë Gjoni Kerri, 50 vjeç, me detyrë shofer i togës së shoqërimit. Arrestimi i këtyre punonjësve është kryer pasi dyshohet se nuk kanë respektuar procedurat standarde të shoqërimit, duke mos zbatuar rregullat e sigurimit të personave të kërkuar. Shtetasit e lartpërmendur, kanë qenë me shërbim për transportimin nga ambientet e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, për në Institucionin e Ekzekutimeve të vendimeve penale në Fushë – Krujë. Si pasojë e mosveprimeve të tyre, ka arritur të largohet i dënuari Nirgen Ymeri, 22 vjeç, i dënuar me vendimin e datës 18.06.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të ‘Vrasjes me dashje të mbetur në tentativë’, ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve’, parashikuar nga nenet 76, 22 dhe 278/2 të Kodit Penal. Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”,- thuhet mes të tjerave në komunikatën zyrtare të policisë. Mësohet se 22 -vjeçari është arrestuar në datën 5 shtator dhe është mbajtur 10 ditë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Me datë 5 shtator, 2014 ora 13:00, pranë Selitës tek ish- Stacioni i fundit i Tiranës së Re, nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në një lokal lagje, u bë kapja e shtetasit në kërkim Nirgen Agim Ymeri, i datëlindjes 22 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Hamdi Pepa”, Tiranë, me arsim të mesëm. Me vendim penal nr.1518, datë 18.06.2013, Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Tiranë, e ka dënuar me 18 vjet burg, për veprat penale të “Vrasjes me dashje e mbetur ne tentative dhe Armëmbajtje pa leje”.  Ymeri rezulton se në datën 8 qershor 2013, rreth orës 16:30 pasi ka ngacmuar motrën e shokut të tij, e ka plagosur këtë të fundit me pistoletë. Që nga ajo kohë 22 -vjecari ka qenë i shpallur në kërkim deri me datën 5 shtator, kur dhe u arrestua. Gjatë momentit të ndalimit më datë 5 shtator shtetasi Nirgen Ymeri u prezantua si shtetasi Ilmi Osma, ku mbante një dokument me fotografinë e tij (patente) në emër të Ilmi Osma. Përpara 10-të ditësh gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Nirgen Ymerit, në rrugën “Hamdi Pepa”, tek tregu ushqimor, banesë private trekatëshe, u kap vëllai i tij Olsi Ymeri me një armë zjarri tip automatik “Kallashnikov”.