Arratisja e superhajdutit 21 –vjeçar nga Puka, dalin detaje të reja

440
Një 21-vjeçar ka mundur të arratiset në mënyrë spektakolare nga Komisariati i Policisë në Pukë. Emirjon Nikja, i arrestuar me akuzën e grabitjes, ndërsa priste për t’u transferuar për në Shkodër, ka arritur të dalë nga dritarja e një dhome në katin e dytë të komisariatit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, gjatë kohës që po përgatitej dokumentacioni për transferimin e tij në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër.

Ndërsa 21-vjeçarin e kishin lënë në dhomën e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Pukë pa pranga në duar, i arrestuari, banues në lagjen “Don Bosko” në Tiranë, ka arritur të heqë me forcë hekurat nga dritarja dhe më pas është larguar me shpejtësi.

Nga hetime paraprake, rezulton se inspektorët e policisë po përgatisnin makinën me të cilën do të kryenin transferimin në momentin e arratisjes së 21-vjeçarit. Në pak minuta, Nikja ka mundur që të heqë me forcë zgarën e hekurave që qëndron në çdo dritare të komisariatit për të parandaluar arratisjet. Më pas, i riu që njihet nga policia e kryeqytetit si grabitës serial i bizneseve dhe banesave, ka arritur të dalë nga ambientet e komisariatit pa tërhequr vëmendjen e asnjë punonjësi policie. 
Sigal