Arratisja e shefave të policisë, ja ku i gjejnë përgjegjësitë juristët

562
Ish-Avokati i Popullit dhe avokati penalist Bashkim Sulstarova, flasin për situatë e krijuar, pas arratisjes së tre shefave të policisë dhe përfshirjen e tyre në trafik
Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se ka nisur hetimet për të zbuluar personat që dekonspiruan operacionin për kapjen e tre ish-shefave të Policisë së Vlorës, të cilët nuk u gjetën në banesë pas mbërritjes së policisë. Nga ana tjetër edhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa, ka bërë kallëzim penal në prokurori dhe kërkon të gjenden fajtorët dhe të ndëshkohen. Opozita nga ana tjetër, akuzon drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, kryesisht Xhafën si dhe kryeministrin, si personat përgjegjës për dekonspirimin. Në këto kushte, askush nuk di në të vërtetë, se çfarë ka ndodhur në 22 nëntor, ditën kur Prokuroria e Krimeve të Rënda, dorëzoi tek SHÇBA, urdhër arrestet për ta. Ish-avokati i Popullit, Ermir Dobjani, shprehet për “Telegraf” se përgjegjësia për gjithë këtë situatë, nuk mund të jetë vetëm e një personi apo e një institucioni. Sipas tij, përgjegjësi mund të ketë edhe prokuroria, edhe policia, por edhe politika. Më tej Dobjani shton se, shefat e policisë, veprimtarinë e drogës mund ta kenë nisur para vitit 2013-të dhe pas këtij viti ata e forcuan, duke gjetur edhe përkrahje. Në të njëjtën linjë me të është edhe avokati Bashkim Sulstarova, i cili shprehet se, përgjegjësia është individuale. Edhe për Sulstarovën, politika ka mbajtur një qëndrim jo të mirë në këtë situatë. 
Bashkim Sulstarova: Përgjegjësia individuale, institucioni i dorëheqjes nuk njihet tek ne
Avokati penalist Bashkim Sulstarova e ka konsideruar situatën aktuale, jo normale. Megjithatë, për avokatin, nuk mund të bëhet fjalë për dorëheqje të ndonjë titullari, kjo për faktin se në Shqipëri, institucioni i dorëheqjes nuk ekziston. “Institucioni i dorëheqjes nuk njihet në vendin tonë. Këtu nuk kanë bërë dorëheqje edhe kur ka pasur ngjarje të mëparshme e janë vrarë njerëz”. Në rastin e Drejtorit të Përgjithshëm Haki Çako, i cili prej më se katër vitesh ka qenë në këtë institucion dhe ka ndjekur nga afër situatën e kanabizimit të vendit si dhe përfshirjen e shefave të policisë në trafikun e drogës, Sulstarova, shprehet se përgjegjësia në çdo rast është individuale. “Përgjegjësia është individuale. Bota kështu e ka. Nuk i shkon në mend askujt për këtë qëllim”. Për Sulstarovën, çështjet e drogës dhe skandalet e mëdha si ajo e shefave të policisë dhe dekonspirimi i operacionit, janë politizuar. Ai thotë se më parë del e flet politika sesa të flasë organi i akuzës. “Aq më tepër flet politika para organit të prokurorisë. Politika duhet të flasë e fundit. Përderisa nuk ka një vendim prokurorie dhe vendim gjykatë, askush nuk ka të drejtë të flasë. Por politika këtu flet më shumë se sa duhet”, tha ai

Edhe çështjen e dekonspirimit të operacionit, avokati e konsideroi individuale. Sipas tij, çdo person që ka bërë një veprim të tillë, duhet të përgjigjet penalisht. “Dekonspirimi është personal. Ai që e ka dekonspiruar, mban përgjegjësi personale.

Përgjegjësia është, por këtu nuk ekziston dorëheqja. Deri sa ti shkel ligjin, etikën atëherë duhet të përgjigjesh”. Për avokatin një tjetër gabim bëhet edhe kur flitet për Ministrin e Brendshëm, i cili është në proces hetimi dhe duhet të presim organet e drejtësisë.

Por avokati nuk ka besim tek Vetingu, sipas të cilit do të bëhet nga njerëz që i përkasin ose PD-së ose PS-së. Sulstarova shprehet optimist se Vetingu në radhët e policisë do të pastrojë të inkriminuarit dhe do të ketë rol pozitiv. “Unë gjykoj se do ndryshojë diçka”.
Dobjani: Përgjegjësinë duhet ta mbajë prokuroria, nuk përjashtohet edhe loja
Ish-Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, për gazetën “Telegraf”, deklaroi se dekonspirimi i operacionit duhet të jetë në radhë të parë përgjegjësi e prokurorisë. Por Dobjani nuk përjashton edhe mundësinë e ndonjë loje. “Patjetër që përgjegjësinë duhet ta mbajë në radhë të parë prokuroria. Nuk përjashtohet mundësia që të bëhet edhe lojë. Por edhe nga organet e policisë, mund të ketë rrjedhur informacioni, pasi ata mund të mos kenë ushtruar kujdesin e duhur”, tha Dobjani. Më tej ai shtoi se ish-oficerët edhe mund të jenë larguar. “Nëse kanë dalë jashtë vendit ata kanë dalë përmes lidhjeve të tyre, sepse nuk mund të jenë larguar përmes maleve. Kolegët e vet i kanë lejuar”, deklaroi Dobjani. Por përgjegjësitë, sipas tij nuk mund të ngelen vetëm në fushën e drejtësisë, pra tek prokuroria dhe policia. Ai deklaroi se edhe politika, është përgjegjëse. “Përgjegjëse është politika dhe ata që e kanë pasur, edhe ata që e kanë pushtetin. Fenomeni i kanabisit nuk është i sotëm, as edhe para një viti. Ka më shumë se 15 vjet. Ëmbëlsia për frutat e kësaj veprimtarie ka ardhur dora-dorës. Duke parë që nuk vihet dorë për shkatërrimin e parcelave, për shembull si në Lazarat, ata që kanë njerëz rreth e rrotull, kanë përfituar. Sa lexova, ish-shefat e policisë – të arratisur tashmë, para 2013-s, kanë qenë të gjithë në punë në sektorin e drogës dhe kanë qenë të përlyer edhe para këtij viti në këtë sektor dhe pas 2013-s kanë marrë pozita më të fuqishme. Por të gjitha këto janë hipoteza, deri sa nuk kemi vendime gjyqësore. Mungesa e kontrollit, është një shkak”, tha Dobjani. Për të kjo situatë nuk do të kalojë lehtë. “Pasoja më e madhe ndihet tek mobilizimi i forcave të policisë, të cilat janë në një moment pasigurie. Megjithatë përfshirja e këtyre punonjësve të policisë në trafik, nuk do të thotë që të gjitha strukturat e tjera janë të përlyera. Këta e ulin imazhin e policisë”, deklaroi Dobjani. 
Sigal