Arratisja e 7 të burgosurve, arrestohen katër, 3 në kërkim

555
Sigal

Ministri Naço:Ishte arratisje e parapërgatitur e në bashkëpunim me gardianët. Shkarkohet drejtori i burgut, arrestohen 21 efektivë të policisë

 Pas 24 orësh nga arratisja e bujshme e 7 të dënuarve nga burgu i sigurisë së lartë në Korçë, ende strukturat shtetërore, ato të policisë e njerëzit e thjeshtë janë në ankth pasi akoma janë të lirë dhe të armatosur tre nga të arratisurit që në çdo çast mund të shkaktojnë tragjedi me viktima. Ndërkohë, përtej “suksesit të policisë” në arrestimin e katër të të arratisurve, mësohen zyrtarisht e në kofidincialitet detaje të rëndë që konfirmojnë dijenitë e drejtuesve shtetëror lidhur me informacionin se “një grup i dënuarve me burgim të përjetshëm në Drenovë të Korçës po përgatiten për arratisje”. E nëse ky informacion ekzistonte (dhënë dhe nga SHIK e SHKB-sipas burimeve), përse nuk u vlerësua në kohë!? Për më tepër, kur krerët e policisë pohojnë se “arratisja e parapërgatitur është mundësua dhe nga oficerë të burgut e persona të tjerë”, sinjali I alarmit për situatën në burgjet shqiptare është një kambanë që duhet vlerësuar sa nuk është tepër vonë. Tashmë, arratisja e mbrëmjes së djeshme, ka këtë bilanc pas më shumë se 24 orësh nga ngjarja: Katër janë arrestuar (një në aksin Korçë-Ersekë e tre në një magazinë në Përrenjas), një polic i operacionit i plagosur në këmbë, 21 efektivë të burgut të Drenovës të arrestuar, drejtori i këtij institucioni i shkarkuar dhe qindra forca policie strukturave special ende në shi e mes errësirës në kërkim të të arratisurve ende nën kërkim…

KRONOLOGJIA E SË DIELËS

Teksa natën, drejtuesit operacionit për kapjen e 7 të arratisurve kishin hedhur pikat e mundshme në hartë për itinerarin e ët kërkuarve, mëngjesi i ditës së diel kishte vetëm një bilanc konkret, arrestimin e vetëm njërit prej të kërkuarve. I dënuari Artur Gora u arrestua mbrëmjen e ditës së shtunë në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Gora i deklaroi policisë se nuk kishte qenë pjesë e planit të arratisjes, por kishte përfituar për të dalë nga burgu për të vizituar nënën e tij të sëmurë. Në orën 11:45 të ditës së diel, konfirmohet zyrtarisht se janë arrestuar dhe dy nga organizatorët (jo të burgosur) që kanë ndihmuar në arratisje.

Bëhet editur se, në pranga kanë rënë Albi Meçini dhe Olsion Maçi, të cilët janë kapur nga policia e Elbasanit teksa udhëtonin me një makinë tip ‘Seat’ në pronësi të Dritan Peçanit, me të cilën dyshohet se kanë udhëtuar 4 prej të dënuarve të arratisur.Plot 2 orë më pas, konfirmohet se është arrestuar dhe një bashkëpunëtor i tretë në arratisje. Ai është Altin Lami. Sipas policisë, Lami dyshohet se, realizoi shpërthimin pranë komisariatit në Korçë, pikërisht në kohën kur ndodhi arratisja, për të larguar vëmendjen e efektivëve të policisë.

OPERACIONI NË PËRRENJAS

Në orën 12:40, drejtuesit e operacionit kanë në identifikuar dhe lokalizuar disa magazine në stacionit të trenit në Përrenjas, ku ishin strehuar disa nga të arratisurit. Kanë bërë ngushtimin e darës së rrethimit dhe kanë ndërhyrë. Ndërhyrja është shoqëruar dhe me shkëmbime të ndërsjella zjarri. Tre prej shtatë të arratisurve janë arrestuar në mesditë në ambientet e ish-magazinës së stacionit hekurudhor në qytetin e Përrenjasit. Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e të dënuarve Admir Tafili, Gëzim Guri dhe Fran Marashi. Mësohet se, në ambientet e magazinës u gjetën armë zjarri, telefona celularë dhe një maskë, të cilat u sekuestruan nga policia.
Është konfirmuar se në këtë operacion delikat, ku ishte dhe u arrestua Admir Tafili, ‘truri’ i grupit, është plagosur lehtë në këmbë dhe një polic, efektiv në operacion.

OPERACIONI VAZHDON

Operacioni me pjesëmarrje të shumta forcash e mjetesh, vazhdon. Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me dy të arratisurit nga burgu i Drenovës në Korçë. Sipas policisë Reiz Haxhiraj, Eduard Lula dyshohet se janë në malin e Gramozit. Të njëjtat burime theksojnë se Lulo dhe Haxhiraj dyshohet se fshihen në pyjet e Qafës së Qarrit. Policia po kryen kërkime në shtëpitë e braktisura në fshatrat Treskë, Luaras, Shtik, Grabockë dhe Krushovë. Të njëjtat burime theksojnë se nuk përjashtohen edhe kërkimet edhe në fshatrat Dardhë dhe Arzë pasi janë kufi me Greqinë. I kërkuari i tretë Gëzim Guri dyshohet se është ende në rrethin e Pogradecit apo Përrenjasit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, zyrtarisht, nuk është dhënë asnjë informacion lidhur me tre të arratisurit në kërkim.

SKEMA E ARRATISJES

Burimet Zyrtare dhe ato në vendin e ngjarjes, japin dhe skemën e për afërt të arratisjes… Dyshohet që Admir Tafili dhe shokët e tij fillimisht kanë siguruar armët nga jashtë burgut. Më pas ata kanë prishur kamerat e sigurisë në sektorin ku ndodhen të burgosurit me dënime kapitale si dhe kanë shkëputur linjën telefonike. Kur të burgosurit do të dilnin për të ngrënë bukë, Tafili, Marashi, Guri, Toma, Haxhiraj, Lula dhe Gora kanë dalë të gjithë bashkë korridorin e këtij sektori, i cili ndodhet në katin e dytë të burgut. Shtatë të “fortët” kanë kërcënuar me armë rojet që të hapin dyert dhe t’i lejonin që të dilnin jashtë. Rojet e këtij sektori nuk janë të armatosur dhe dyshimet e forta bien mbi faktin që armët e zjarrit të jenë futur nga jashtë. Pasi kanë zbritur në sektorin tjetër në katin e parë të burgut, nën kërcënimin e armëve ata kanë mundur të çarmatosin. Më pas dënuarit kanë mundur të dalin në oborr (tek porta e jashtme e burgut) nga tuneli ku hyjnë makinat e të burgosurve. Ata kanë qëlluar me breshëri plumbash dhe më pas kanë dalë në rrugën nacionale Korçë-Ersekë, që ndodhet 500 metra larg Burgut të Drenovës. Burimet e mësipërme pohuan se 7 të dënuarit kanë ikur në drejtime të ndryshme me makina të rastit.

 ARRESTOHEN 21 GARDIANË

Ndëshkimi i parë, shkarkimi i drejtorit të burgut të Drenovës, Genci Postolit. Hetimet në proces dhe prokuroria ka arritur në konkluzion për përgjegjësinë e efektivave të burgut, dhe në orën 18:30 të ditës së diel është konfirmuar arrestimi për ngjarjen i 21 ushtarakëve, efektivë të këtij burgu. Të arrestuarit janë: Valdet Brahollari, Ardian Lenollari, Valter Gjalpi, Jani Mitre, Gjergji Këllëzi, Bledi Hysolli, Margel Rushani, Riza Spahiu, Ferdinand Delimoni, Artan Larti, Edmond Qarri, Spartak Moka, Bledar Kollcinaku, Arben Fatka, Luan Licollari, Terpo Gjamo, Suzana Sejdarasi dhe Luljeta Zvorani. Këta efektivë të burgut të Drenovës, dyshohet se kanë ndihmuar 7 të burgosurit që të arratisen nga burgu.

EDI RAMA

Kryeministri Edi Rama përgëzoi Policinë e Shtetit për realizimin me sukses të operacionit për kapjen e 4 prej të arratisurve nga burgu i Drenovës. Në rrjetin social “Facebook”, ai thekson angazhimin e qeverisë për të vijuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Më në fund Shqipëria ka një Polici Shteti në krye të detyrës. Asgjë s’do na ndalë në luftën me krimin e korrupsionin. Ky është veç fillimi”,- shkruan Rama.

NASIP NAÇO

I përmbledhur e me detaje konkrete ka qenë deklarimi I Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço lidhur me arratisjen e 7 të burgosurve në fillim të takimit me krerët e burgjeve. Ai theksoi se “Po menaxhohet me aftësi e pjekuri situate e rëndë, e përgatitur kohë më parë me bashkëpunim me policë të burgut”. Duke pohuar se “gjetëm një sistem të kalbur në burgje, ndaj duhet të punojmë për përmirësimin e situatave dhe reformave bashkëkohore dhe në këtë drejtim”.

 SAIMIR TAHIRI

“Dorëzohuni sot, se nesër e në vijim mund të jetë shumë vonë”. Me këtë thirrje u është drejtuar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tre të arratisurve nga burgu i Drenovës që ende nuk janë ndaluar Në konferencën e përbashkët për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi, ministri Tahiri u shpreh krenar për punën e policisë, që sipas tij, ka arritur në një kohë rekord të arrestojë katër prej të arratisurve nga burgu.

MEDIA NDËRKOMBËTARE

Arratisja e 7 të burgosurve shqiptarë, pati jehonë dje dhe në median prestigjioze ndërkombëtare. “Shqipëria gjuan të burgosurit e rrezikshëm të arratisur”, shkruan “BBC”. “7 të burgosur arratisen, janë të rrezikshëm , njerëzit mbyllen në shtëpi”,-shkruan “Tg com”. Edhe “Associated Press”, mediat italiane si dhe ato të shtetit grek i kanë dhënë këtij lajmi një hapësirë jo të vogël, nisur dhe nga fakti se të arratisurit janë të rrezikshëm.

Halimi: Tahiri e Naço neglizhuan informacionin 

Ish-ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, në daljen e tij publike dje ka pohuar se “Dështimin e tyre, ministrat Tahiri dhe Naço nuk mund t’ia faturojnë askujt tjetër, përveç pazareve që kjo qeveri bën në administrimin e në menaxhimin e institucioneve”, duke akuzuar njëkohësisht se ata neglizhuan informacionin. “2 muaj më parë më 23 shtator 2013, ish-drejtuesit e policisë së shtetit kanë dorëzuar një raport të detajuar informimi mbi planet e këtij grupi për t’u arratisur, Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço… Asnjë masë nuk u  mor, asnjë ligj nuk u respektua, ministrat nuk kryen minimalisht detyrën e tyre, policia bashkë me të heshti, nuk vepruan!-pohoi ish-ministri Halimi.

 Berisha: Rama-Meta po e kthejnë vendin në protektorat krimi!

Në një postim në Facebook, ish- Kryeministri Sali Berisha fajëson qeverinë për arratisjen e 7 të burgosurve nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Midis të tjerave ai shkruan se: “Ky akt i pashembullt është produkt i bashkëpunimit të suksesshëm të këtij grupi vrasësish me eksponentë dhe strukturat e reja qeveritare të interesuara apo detyruara për lirimin e tyre”. Më tej ai vazhdon se bandat që ndihmuan me para dhe dhunë ardhjen në pushtet të koalicionit Rama – Meta, tani një nga një kërkojnë shpërblimin e tyre. “Natyrisht ndalimi nga Policia i 4 prej 7 të arratisurve është një akt për tu përshëndetur… Por mjerisht ky është vetëm fillimi i procesit të shndërrimit të vendit në një protektorat krimi me pasoja shumë të rënda për çdo qytetar dhe vendin në tërësi”,- përfundon postimin Berisha.

 PD: Në një orë, shteti Rama- Meta ra dy herë!

Partia Demokratike me anë të një deklarate nga zëdhënësja Silvi Bardhi pohoi se: “Shteti shqiptar ka rënë dje dy herë në harkun e një ore, teksa qeveria shtrohet në gosti nëpër resorte luksoze të Tiranës. 7 persona të dënuar me burgim të përjetshëm arrijnë të dalin të armatosur nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Kjo është rënia e parë e shtetit. Rreth një orë më vonë, të arratisurit arrijnë të çajnë me forcë një postbllok të policisë të ngritur në Pogradec enkas për ndalimin e tyre. Dhe ky është rrëzimi i dytë i shtetit”. Në përfundim të deklaratës, ajo u shpreh se: “Kjo është një qeveri ideale për krimin, dhe qeveria më e keqe për qytetarët dhe shtetin”. Pas zëdhënëses së PD, lidhur me ngjarjen, kanë reaguar dhe ish-Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi në një konferencë për medien dhe dhe ish-Kryeministri Sali Berisha  në  faqen e tij në FC..

Pas arrestimit, gardianët u dërguan në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Korçës. Nga burimet zyrtare mësohet gjithashtu se lidhur me ngjarjen e rëndë të mbrëmjes së shtunë, në funksion të hetimeve, do të jenë edhe punonjës të tjerë të burgut të sigurisë së lartë në Dardhë të Korçës. Arrestimet e gardianëve u bënë pas hetimeve të para të prokurorisë dhe bashkëpunimit me SHKB.

Shkarkimet e firmosura mbrëmjen e ditës së djelë nga Ministri Nasip Naço për disa krerë burgjesh e shefa në funksione kryesore, u bë pas analizës së mes ditës lidhur me ngjarjen e rëndë në Korçë. Nga burimet zyrtare, krahas masave të mësipërme, në ditët në vazhdim, në strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve do të bëhet një analizë e hollësishme lidhur me eficencë të plotë në kryerjen e detyrave nga të gjithë gardianët, punonjësit e drejtuesit.