Anëtar i një bande, Stresi sot në gjyq, njihet me masën e sigurisë

415
Sigal

Reperi i njohur Arkimed Lushaj ose Stresi do të dalë sot para Gjykatës ku do të bëhet rivlerësimi i masës së sigurisë,

Stresi akuzohet për trafik droge dhe krime kundër personit. Ai u arrestua mbrëmjen e së mërkurës ndërsa ishte në një dhomë hoteli në periferi të Tiranës në shoqërinë e një vajze.

“Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit’”, thuhej në njoftimin e policisë.

Gjatë arrestimit të këtij shtetasi në ambientet e një hoteli në zonën e Linzës, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta” , si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.

Burime nga policia thanë se Arkimend Lushaj ishte prej 1 viti në përgjim. Ai është përgjuar teksa komunikon me disa persona për trafikun e drogës. Po kështu në përgjimet ambientale dhe ato telefonike Stresi është kapur duke orientuar shitësit të çojnë drogë në disa vende kryesisht lokale.

Po kështu burime të sigurta thanë se në grupin kriminal Stresi nuk ka rol drejtues por periferik.
Urdhër arresti ndaj tij u ekzekutua dy net më parë pasi kishte informacion se do ikte jashtë shtetit.

Ndërkaq burime nga policia bëjnë të ditur se në ditët në vijim të ketë arrestime të tjera në Tiranë, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal ku bënte pjesë dhe Stresi.

Ky grup dyshohet se vepronte me shitjen e drogës në zonën e bllokut, por edhe ne periferi të Tiranës. Policia po mban në vëzhgim edhe disa persona të tjerë.