AMC do të dëmshpërblejë me 4 milionë qytetarin nga Tirana, për antenat e tarracave

702
Sigal

Qytetari Jani Gjoça padit AMC-në për prishje arbitare të kontratës duke kërkuar një dëmshpërblim prej 4 milionë lekësh

Deri tani ka pasur plot raste kur kompani të ndryshme private kanë spekuluar me qytetarët shqiptarë, duke u imponuar atyre lloj – lloj klauzolash të paligjshme, sipas interesave private. Dhe shpesh, qytetarët duke mos njohur kodet ligjore, apo civile, kanë pranuar kushtëzimin e më “të fortëve”, duke iu nënshtruar vullnetit të më të mëdhenjve, apo më të pasurve. Por në rastin e AMC-së, qytetari Jani Gjoça ka kërkuar të drejtën e tij në gjykatë, me anën e një padie civile, duke kërkuar edhe dëmshpërblimin përkatës. Së bashku me kamat-vonesën.

Ngjarja

Po afron dimri dhe vrimat e hapura nga AMC-ja, ose nga Shoqëria Albanian Mobile Communicaktionns”, Sh.A, janë bërë shkak që shtëpitë e qytetarëve të pikojnë. Sepse kjo kompani për të vendosur antenat e veta ka bërë kontrata me qytetarë të ndryshëm, të cilat më vonë i ka prishur në mënyrë arbitrare. Por pas këtij arbitrariteti, ka lënë nga prapa pasoja të rënda e të pariparueshme të cilat kërkojnë përkushtim dhe mjete financiare për t’u riparuar. Sepse ato pasoja, në vetvete janë me efekte prapavepruese duke e përkeqësuar gjendjen çdo ditë e më shumë. Në këtë mënyrë qytetarët janë mjaft të dëshpëruar nga lidhjet kontraktuale me AMC-në, sepse kjo e fundit nuk është treguar korrekte në rastet e prishjes para kohe të kontratës, duke lënë pas vetes dëmtime të rënda, sidomos në çatitë e shtëpive, ku gropat e hapura, të tarracave “shërbejnë” si kanalizime për të futur të gjithë ujin brenda shtëpisë. Ndërkohë, fatura financiare e qytetarit për të mbuluar dëmet është tepër e lartë dhe në këtë mënyrë, dëmi trefishohet e pesëfishohet brenda një viti. Por ndërkaq, njëri prej qytetarëve kurajozë të kryeqytetit, zoti Jani Gjoça ka ngritur një padi penale kundrejt dëmtimit të shkaktuar nga AMC-ja.

Padia Gjyqësore

Qytetari Jani Gjoça që ka paditur AMC-në, ka në pronësi një shtëpi banimi me sipërfaqe 95 m2 si edhe një sipërfaqe trualli me sipërfaqe 300 m2, e cila ndodhet pranë ish kombinatit “Misto Mame”, Tiranë. Pala e paditur AMC-ja, ka kërkuar të marrë me qira këtë pronë për të vendosur antenat, ose BTS-të, masat dhe aksesorët e saj, gjeneratori si dhe një rrugë kalimi përmes pronës së paditësit.

Kontrata

Kontrata e qirasë u lidh për një afat kohor prej 9 vjetësh, duke filluar nga data 24.10 2006, dhe me datë përfundimi 24.10.2015. Ndërkaq, pala e paditur, pra, AMC-ja, në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë shkak nga ato të përcaktuarat në kontratën e qirasë, nr.5045/2795 datë 2.11.2006, pra, 3 vjet para përfundimit të kësaj kontrate e ka zgjidhura të “de fakto”,  dhe nuk i paguan paditësit çdo muaj qiranë mujore. Nga ana tjetër, megjithëse AMC-ja, e ka njoftuar paditësin, pra, Jani Gjoçës kërkon ta zgjidhë kontratën me të, pa i dhënë një shkak ligjor, vazhdon të mbajë pronën e paditësit në përdorim, pasi brenda shtëpisë dhe pasurisë së tij të paluajtshme vazhdon të mbajë sendet e veta, si gjenerator, depozitat e naftës, si edhe ka sende të montuara pajisje të ndryshme me anën e të cilave ushtrojnë veprimtarinë e biznesit për të cilin mori me qira dhe përdori pasurinë e paluajtshme, të paditësit Jani Gjoça.

Dëmtimet

Qytetari Jani Gjoça, mbi shtëpinë e tij numëron një sërë dëmesh që i burojnë nga aktiviteti i AMC-së. Kështu nga pajisjet dhe antenat, që pala e paditur AMC kishte vendosur mbi çatinë e shtëpisë së qytetarit janë shkaktuar shumë dëme. Kësaj tarrace dhe gjithë shtëpisë së banimit i janë shkaktuar dëmtime të cilat po përshpejtojnë degradimin e saj, sidomos nga fakti se shtëpia pikon në disa vende dhe kur bie shi, ajo mbulohet nga uji, duke pësuar amortizim të përditshëm.

Dëmshpërblimi

Çdo gjë që dëmtohet duhet të dëmshpërblehet. Mbi këtë ligj bazë, AMC-ja, duhet të dëmshpërblejë qytetarin Jani Gjoça, që nga janari i këtij viti e në vazhdim me të gjithë shumën e papaguar të qirasë mujore. Në këtë mënyrë paditësi Jani Gjoça kërkon që pala e paditur AMC-ja, të detyrohet të paguajë qiranë mujore prej 400 mijë lekësh. Si edhe të përmbushi të gjitha detyrimet që rrjedhin nga përmbajtja e neneve 813, 814, 815, e vijues të Kodit Civil. Madje, AMC-ja duhet t’i paguajë qytetarit Jani Gjoça edhe një kamatë vonese, në shumën prej 0.01 për qind për çdo ditë vonesë, të mospagimit të qirasë siç parashikohet në pikën 5.3 të kontratës së qirasë duke filluar kjo llogaritje nga muaji shkurt 2013 e në vazhdim.