“Allahu Akbar”, kosovari tenton të marrë peng 3 persona në Vlorë

697
Një shtetas kosovar është arrestuar në Vlorë pasi ka tentuar të marrë peng tre persona dhe i ka dhunuar ata. Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Policinë Vlorë një ditë më parë në qytetin bregdetar ka arrestuar në flagrancë shtetasit Dijar Xhema, 29 vjeç, lindur e banues në Mitrovicë, Kosovë.
“Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht dhe ka tentuar të rrëmbejë me mjetin e tij ‘Audi’ me targa KS02300CO, tre shtetas me inicialet: B.N, N.I, dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës brenda një harku kohor prej 2 orësh”, thuhet në njoftimin e policisë. Këto veprime ky shtetas i ka shoqëruar me thirrjet në vende dhe ambiente publike si “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do ju vras të gjithëve”.
“Nisur nga veprimet e kryera, informacionet e dhëna nga qytetarë dhe reagimi në kohë rekord i strukturave të policisë u lokalizua dhe u neutralizua autori i dyshuar i këtyre akteve duke bërë kështu parandalimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale me pasoja dhe impakt në publik. Theksojmë se ky shtetas si gjatë arrestimit dhe në ambientet e shoqërimit ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë”.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva.
Nisur sa më lart: shtetasi Dijar Xhema ka dyshime të bazuara dhe arsyeshme, se me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar elementet e veprave penale: “Vepra me qëllime terroriste”; “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”; “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, (të mbetura në tentativë); “Prodhim dhe shitje narkotikeve”, të parashikuara nga nenet 230 gërma a dhe g , 232/a, 265, 283 e 22 të Kodit Penal. Ky person paraqet rrezikshmeri të theksuar shoqërore pasi në Kosovë është i evidentuar si person me precedent kriminal për tendencën e vrasjes, rrëmbim, dhunim personi, dhunim i punonjësve të organeve ligjzbatuese, mbajtje dhe përdorim pa leje të armëve të zjarrit. Materialet iu kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Sigal