Alarm për bombë në parkingun e një qendre tregtare tek “Komuna e Parisit”

442
Zona e “Komunës së Parisit” në kryeqytet është përfshirë nga paniku. Një alarm është dhënë paraditen e sotme, ku është njoftuar për bombë në një qendër tregtare në këtë zonë.
Kanë qenë banorët që kanë telefonuar policinë rreth orës 11:15 minuta për një pako të dyshimtë në zonën e parkingut të makinave. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka evakuuar njerëzit që ndodheshin në Qendrën Tregtare si dhe ka larguar automjetet. Efektivët kanë rrethuar zonën rreth qendrës tregtare duke krijuar perimetrin e sigurisë.
Rreth orës 12:40 Policia ka bërë shpërthimin e kontrolluar të eksplozivit të vendosur në qendrën tregtare. Dyshohet se lënda plasëse ishte vendosur poshtë një mjeti të parkuar në katin e 2-të të nëndheshëm të qendrës tregtare. Por në kohën që mjeti ka lëvizur nga parkimi eksplozivi është shkëputur dhe ka rënë.
QYTETARËT TË ALARMUAR BRAKTISIN SHTËPITË
Qytetarët që ndodheshin në qendrën tregtare kanë vrapuar të alarmuar duke bërtitur, menjëherë pas dhënies së alarmit. Gazetarja Marsela Karapanço pohon se krejt zona përreth është evakuuar. Edhe banorët që kanë shtëpinë në katet e sipërme të kësaj qendre tregtare kanë dalë jashtë apartamenteve të tyre dhe aktualisht ndodhen para qëndrës. Edhe lokalet gjithashtu janë zbrazur. Krejt zona është rrethuar me shiritin e skenës së krimit. Në vendin e ngjarjes ndodhen dhjetëra automjete e forca të policisë.
TRE AUTOMJETE NË PARKING
Megjithëse policia ka larguar pjesën më të madhe të automjeteve nga parkingu i qendrës tregtare, mësohet se 3 makina ndodhen ende aty. Nuk dihet nëse automjetet nuk janë larguar nga mungesa e komunikimi të policisë me pronarët e tyre apo kanë lidhje me pakon e dyshimtë.
Sigal