Akuzohet për vrasjen e Jurgen Kurtit, 22-vjeçari nga Patosi ‘jetë luksi’ në Facebook

448
Sigal

Vrasja e Jurgen Kurtit është zbardhur. Kështu deklaroi sot, përmes një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit.

Lidhur me atentatin e 18 marsit janë arrestuar tre persona dhe është shpallur në kërkim një i katërt. Të arrestuarit janë Elsi Levendi, Olsi Qalliaj dhe Alesio Berberi.

Gjatë kontrollit në banesat e tyre policia gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.

Po ashtu janë gjetur edhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarakë, një sasi prej 2470 euro e lekë shqiptare, 13 aparate celularë, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Sipas policisë tre të rinjtë e kanë ndjekur për disa ditë me radhë Kurtin dhe janë kapur nga kamerat e sigurisë duke udhëtuar me mjetin “Benz” që u përdor edhe ditën e vrasjes.

Kujtojmë se, tre të rinjtë nuk e kanë pranuar krimin.

Olsi Qalliaj 22 vjeç, i lindur dhe banues në qytetin e Patosit. Ndërkohë po qarkullojnë në rrjet disa foto të të riut, ku shihet jeta e luksit që bënte.

Edhe pse 22 vjeç, siç shihet në foto, ai ka bërë mjaft udhëtime në Europë, shihet në makina të shtrenjta dhe jahte apo teksa reklamon veshje firmato.

Jurgen Kurti, emër i njohur për mediat dhe policinë, u vra me datë 18 mars 2019, në rrugën “Zef Jubani” në Tiranë, shumë pranë banesës ku jetonte.