Akuzohen për falsifikim kompjuterik, SHKB shpall në kërkim tre punonjës policie

564
Sigal

Policët kanë bërë regjistrime fiktive të hyrje-daljeve në Pikat e Kalimit Kufitar Kukës të disa mjeteve

Në kuadër të hetimit të një rasti korruptiv në Policinë Kufitare të Kukësit, SHKB ka shpallur në kërkim 3 punonjës policie. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit në datën 7 korrik, mbi bazën e hetimeve të kryera nga strukturat e hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë me kërkesë të Prokurorisë vendosi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, ndaj tre punonjësve të policisë dhe një shtetaseje. Tre punonjësit e policisë janë Komisar Fatos Myftar Ahmati, me detyrë Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare, Shishtavec, qarku Kukës. N/Komisar Petrit Sali Dauti, me detyre Përgjegjës Turni, në P.K.K Morinë, qarku Kukës. Inspektor Behar Enver Dida, me detyrë kontrollor në P.K.K Morinë, qarku Kukës. Shtetasja Afërdita Ramiz Kraja, punonjëse e agjencisë doganore “ÇELMANI”, Vorë, qarku Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, “për këta persona nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar procedimi penal për veprat penale të “Falsifikimit kompjuterik” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga nenet 186/a dhe 245/1-2 të K.Penal”.

“Nga hetimet proaktive të zhvilluara nga ana e SHKB-së në bashkëpunim me Prokurorinë ka rezultuar se personat e sipërcituar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me qëllim përfitimi në mënyrë korruptive kanë bërë në disa raste, në kohë të ndryshme, regjistrime fiktive të hyrje-daljeve në Pikat e Kalimit Kufitar Kukës të disa mjeteve. Pas regjistrimit fiktiv janë kryer veprimet e zhdoganimit. Për këto veprime të kundraligjshme punonjësit e policisë së bashku me punonjësen e agjencisë doganore kanë përfituar shuma të konsiderueshme në lekë”,- njoftojnë të njëjtat burime. “Nga ana e SHKB më datë 08.07.2014 u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasen Afërdita Ramiz Kraja, e cila ka konsumuar veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 245/1-2 të K.Penal, ndërsa për tre punonjësit e policisë Fatos Ahmati, Behar Dida dhe Petrit Dauti për shkak se u janë shmangur hetimeve, u bë shpallja në kërkim e tyre”, përfundon njoftimi i Policisë së Shtetit.