Aksidenti i fëmijëve në Kavajë, dalin nga burgu gjithë zyrtarët e ARRSH-së

501
Gjykata e Apelit e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për dy drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Bib Gjomakaj dhe Lek Tushaj. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, për aksidentin e 7 Majit, në rrugën Plepa – Rrogozhinë, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur. Gjomakaj dhe Tushaj, prej një muaji ndodheshin në burg, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa Apeli vendosi masën detyrim paraqitje.
Një javë më parë, Gjykata e Tiranës vendosi të ndryshojë masën edhe për Drejtorin Juridik të ARRSH -së, Dritan Fejzo. Këta zyrtarë akuzoheshin se nuk kishin zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që i detyronte të vendosnin parmakët mbrojtës në vendin ku ndodhi aksidenti. Gjithashtu, nuk kishin marrë masa mbrojtëse dhe vendosjen e sinjalitikës në këtë aks. Ndërkohë që Prokuroria vazhdon hetimet, pas dyshimeve që në këtë skandal të jetë përfshirë dhe drejtuesi i Autoritetit, Dashamir Xhika. Gjithashtu, Xhika është kallëzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzim me detyrën dhe cënim të sigurisë rrugore me ndërgjegjie, pasi ka pranuar kërkesën e firmave kontraktuese për ndryshimin e tipit të parmakëve dhe uljen e lartësisë së tyre.
Sigal